AKTUALITET, 16 Shtator 2023, 17:41

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD: Berisha votëbesohet në tetor, në fund të muajit mbyllim analizën e 14 majit

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD: Berisha votëbesohet

“PD-ja ka nevojë urgjente të bashkohet”, kështu deklaroi anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha. Duke u ndalur te axhenda e Rithemelimit, Hoxha u shpreh se më 30 shtator përfundon analiza e zgjedhjeve të 14 majit dhe më pas në bazë të statutit, Sali Berisha do të kalojë në votëbesim si kryetar i PD.

Ai shtoi se votëbesimit sipas tij do t’i duhet t’i nënshtrohet jo vetëm kryetari i partisë, por edhe kryesia e PD-së dhe degët e saj.

“Me 30 shtator përfundon procesi i analizës seksione, grup seksione dhe strukturat e Partisë Demokratike dhe kryetari e ka detyrë statutore të cilës nuk po i ikën dhe nuk do t’i ikë, votebesimi. Propozimi im në Këshillin Kombëtar ka qënë më i zgjeruar se kaq, jo vetëm kryetari partisë, por edhe Këshilli Kombëtar, degët e PD-së, kryesia e saj, të votëbesohen gjithashtu. Ne po shkëputëm lidhjet me votën, pastaj i themi një kryetari partie të gjitha përgjegjësitë janë tuajat pavarësisht se si jemi sjellë ne, pa e kthyer këtë në gjueti shtrigash ndaj emrave të caktuar. PD-ja ka nevojë urgjente të hapet, të bashkohet me pjesën e saj të ndarë nga vetja, përjashto njerëzit e infiltruar në tepsinë e Ramës dhe të ketë një qasje të re në shoqëri”, –tha Hoxha.