AKTUALITET, 19 Nëntor 2025, 12:04

Dyshohet se nuk pagoi gjobën 500 mijë euro, tritol restorantit në Kamëz: Gjykata e Tiranës 'arrest shtëpiak' për ish-shoqëruesin e Martianjt. Masa për dy të tjerët

Dyshohet se nuk pagoi gjobën 500 mijë euro, tritol restorantit në

Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia ish-efektivin e policisë Jeton Lami duke e dërguar në arrest shtëpie, pas ngjarjes të së shtunës në Kamëz - ku iu vendos një sasi lënde plasëse restorantit “Perla e Detit” në pronësi të Saimir Sinës.

Lami, ish oficeri i Forcës së Posaçme Operacionale, rezulton të jetë personi i fundit që shoqëroi Ervis Martinajn në arrati para se mbreti i kumarit të zhdukej pa gjurmë.

Në detyrim paraqitje u la Florin Domi që ofroi edhe garanci pasurore në vlerë 600 mijë lekë të reja, ndërsa nuk ndryshoi masa e arrestit në burg për Flogert Mzhika.

Në kërkim është Ervis Lami, një person me rekorde të theksuara kriminale, i cili po ashtu në fillim të vitit u përfshi në një vrasjen e postierit Lulzim Visha, po në Kamëz, dhe ende është në arrati.

Policia thotë se arsyeja e vendosjes së lëndës eksplozive që shkaktoi dëme të konsiderueshme në biznes është një gjobëvënie prej 500 000 eurosh, që autorët i kishin vendosur pronarit të godinës Saimir Sina dhe  ky i fundit kishte refuzuar që t’ia jepte.

Jeton Lami nuk është i panjohur për policinë. 31 vjeçari, ishte i fundit që u pa në shoqërinë e Ervis Martinajt para se ai të zhdukej gushtin e vitit 2022.  Ish-oficeri i forcave Operacionale, u lirua nga burgu në nëntor të vitit 2023, i dënuar për ‘shpërdorim detyre’.