AKTUALITET, 19 Nëntor 2025, 11:42

Debati/ Rama: Do e quaja Flamur ‘besnik’ Noka. Në historinë e Shqipërisë krahasohesh me Shefqet Peçin e Lej Fenin! Deputeti i PD: Më mirë Lej Fen se Eskobar!

Debati/ Rama: Do e quaja Flamur ‘besnik’ Noka. Në

Kryeministri Edi Rama teksa nisi fjalën nga foltorja e Kuvendit, u përball me kthimin e shpinave të deputetëve të opozitës, që i refuzuan fjalimin e projektbuxhetit 2026 dhe të paketes fiskale.

Kryeministri në nisje të fjalës ironizoi jo vetëm opozitën, por edhe deputetin Flamur Noka, duke e krahasuar me Lej Fenin, kurse ligjvënësi i PD-së e quajti “Eskobar”.

Rama tha se nga besnikëria Noka mund të quhej edhe Besnik, teksa më herët deputeti opozitar kishte akuzuar kryeparlamentarin Niko Peleshi si besnik të partisë.

“Faleminderit për lehtësimin që i bëni fjalimit tim, më mirë shpina sesa fytyra. Dua të them se jam thellësisht i prekur nga konstatimi i zotit Noka, i cili akuzoi kryetarin e Kuvendit për besnikërinë ndaj partisë, ndërkohë që zoti Noka e ka besnikërinë ndaj kryetarit të partisë monopol që nuk ka monopol që ia vë në dyshim këtë monopol. Madje unë do e quaja Besnik Flamur Noka.

Kështu që Niko është një botë larg teje Flamur ndaj mos e ki hiç merak, me historinë e Shqipërisë mund të të afrohet vetëm Shefqet Peçi, kurse në historinë e botës je rrotë me rrotë me Lej Fenin”, tha Rama.

Në këtë moment Noka ndërhyn nga vendi duke replikuar dhe e cilësoi Ramën si një narkos dhe “Më mirë Lej Feni sesa Eskobar”.

Rama me nënqeshje iu përgjigj se: “Ky është një opinion që mund ta diskutojmë. Duhet të ndani opinionet nga ofendimet, tjetër opinioni dhe tjetër ofendimi. Ndani opinionet me akuzat, tjetër akuza dhe tjetër opinioni, ndani këto dhe respektoni rregulloren”, tha Rama.