AKTUALITET, 26 Janar 2022, 23:37

Roland Bejko drejtues politik? PD Gjirokastër: Vendimi i deputetit Basha ka zero fuqi juridike. Njohim Tritan Shehun

Roland Bejko drejtues politik? PD Gjirokastër: Vendimi i deputetit Basha ka

Dega e Partisë Demokratike në Gjirokastër refuzon vendimin e Lulzim Bashës, për të emëruar Roland Bejkon drejtues politik të Qarkut, në vend të Tritan Shehut. 

Në një deklaratë për mediat, PD Gjirokastër thekson se "deputeti Lulzim Basha nuk zotëron as de facto, e as de jure kompetencat e kryetarit të PDSH-së".

"Kësisoj, çdo akt dhe veprim i tij, është në kundërshtim flagrant me Statutin e Partisë dhe tërësisht i pavlefshëm", thuhet në deklaratë.

PD Gjirokastër njeh deputetin Tritan Shehu si të drejtues politik në rang Qarku.

Deklarata

Deputeti Lulzim Basha nuk zotëron as de facto, e as de jure kompetencat e kryetarit të PDSH.

Kësisoj, çdo akt dhe veprim i tij, është në kundërshtim flagrant me Statutin e Partisë dhe tërësisht i pavlefshëm.

Caktimi i Z. Roland Bejko si "drejtues" politik i Qarkut Gjirokastër është në këtë kontekst i barazuar me zero nga fuqia juridike, politike dhe elektorale.

Anëtarësia e Partisë Demokratike të Gjirokastrës u shpreh sipas parimit "Një anëtar, një votë" në referendumin e datës 18.12.2021, me të cilin u çertifikua procesi i shkarkimit të datës 11 Dhjetor.

E ftojmë Z.Bejko të qetësohet, të tejkalojë inatet, qejfmbetjet dhe mllefet e tij personale ndaj Drejtuesit Politik dhe Deputetit të Qarkut Gjirokastër Tritan Shehu, Kryetarit të degës sonë Dasho Alikos, apo edhe liderit historik Sali Berisha.

Politika zhvillohet me gjuhën e logjikës, dhe jo mbi baza sentimentesh. Fitoret si të Pirros, siç qe ky "emërim", ndonjë pagesë e majme në daljet televizive, apo shpresa e gënjeshtërt për t'u bërë deputet janë pa ndonjë vlerë.

Liria është zgjedhje, thotë Sartri. Secili bën zgjedhjet e veta, por zgjedhja është edhe përgjegjësi. Ne zgjedhim të jemi me demokratët. Partia Demokratike është e anëtarëve, dhe jo e kryetarëve!