AKTUALITET, 26 Janar 2022, 18:44

Gledis Nano: Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi policie që shpërdoron detyrën

Gledis Nano: Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka deklaruar sot nga Shkodra se nuk do të ketë asnjë tolerancë për efektivët që shpërdorojnë detyrën.

Gjatë analizës së punës vjetore të “bluve”, Nano kërkoi më tepër angazhim nga strukturat në parandalimin e ngjarjeve kriminale.

“Duhet më tepër punë parandaluese dhe forcë reaguese ndaj çdo individi/grupi kriminal. Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi policie që shpërdoron besimin që i është dhënë apo tradhton parimet dhe kolegët.”-tha Nano.

“Për këtë puna duhet të fillojë që në këto momente, me marrjen e informacioneve për personat që përgatiten për të kultivuar bimë narkotike, për goditjen e atyre që fusin fara në mënyrë kontrabandë dhe i shesin me qëllim kultivimin e tyre, për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda, krimin e rrugës, si dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve, të cilat mund të çojnë në pasoja për jetën e qytetarëve”, theksoi drejtori i Policisë.

Ndër të tjera Nano kërkoi rritje të performancës së uniformave blu në komunitet.  “Kjo për qëllim që të gjithë këta komponentë të bëjnë që qytetarët të besojnë më shumë te Policia, ta mbështesin më shumë Policinë, se bashkërisht me qytetarët mund të ndërtojmë një ambient më të sigurt për të ardhmen e vendit”, tha ai.

“Kërkoj nga të gjitha strukturat tuaja, më shumë angazhim e përkushtim, për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj çdo veprimtarie kriminale. Puna me ndershmëri e përkushtim ka vetëm një medalje, atë të mirënjohjes së qytetarëve, ndaj punoni që ta meritoni”, – ka përfunduar fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm.