AKTUALITET, 29 Mars 2023, 18:29

“Rama kalon nga afera në aferë”, Berisha për inceneratorët: Ahmetaj nuk e lëvizi qeverinë, tha që e ka lëvizur kryeministri

“Rama kalon nga afera në aferë”, Berisha për

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Cërrikut.

Para mbështetësve të tij Berisha deklaroi se kryeministri Rama kalon nga afera në aferë, teksa përmendi portin e Durrësit si edhe inceneratorët e mbetjeve urbane.

Ai tha me ironi se në rastin e Ramës “oreksi vjen duke ngrënë”, teksa shtoi më tej se ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj tha në lidhje me “djegësat” se nuk e lëvizi ai qeverinë, por se ishte kryeministri.

Sipas Berishës Rama firomsi për shkak se inceneratorët ishin “sipërmarrja” e tij dhe se djegësat nuk sekuestrohen pasi atyre u kalojnë çdo ditë 100 mijë euro, ndërsa mbetjet e Tiranës derdhen në Sharrë.

“Këto zgjedhje janë zgjedhjet e jetës sonë, janë më të rëndësishmet nga viti 1992 gjer më sot. Në vitin 1992 me votën tonë larguam sistemin monist dhe nisëm rrugën e re. Ishim ndër kombet më të varfra të planetit dhe arritëm të ishim vendi me rrogat mesatare më të larta në rajon.

Shqiptarët janë njerëzit më të vjedhur në botë. KLSH ka gjetur se qeveria vodhi dhe shpërdoroi 122 miliardë lekë vitin e kaluar. Janë 1.1 miliardë euro për 9 muaj. Janë 130% sa fondi i përgjithshëm i pagave në vend. Nëse do kishte vullnet do dyfishoheshin rrogat me paratë e vjedhura. Jo vetëm që nuk i dyfishuan rrogat, por rritën çmimet. Në kapitalizëm çmimet i rrit tregu dhe jo  qeveria. Në Shqipërinë e Edi Ramës çmimet i rritën bordet që caktoi. Mblodhi 520 milionë euro më shumë. Të gjitha paratë tuaja. TVSH-ja e të gjitha gjërave që blihen u rrit në proporcion me çmimin. Çdo qeveri që ka ndjeshmëri ndaj ekonomisë së qytetarëve, ato para do i kthente një për një. Këtë e bënë të gjitha qeveritë, e bëri dhe Kosova.

Sot blihet me rrogën 30% më pak se sa blihej në vitin 2013. Me pasuritë publike çfarë ndodh. Pasuria më e madhe është porti i Durrësit. Vlera e tij me truallin përreth është me miliarda euro. Çfarë po ndodh me portin. Ka gjetur një arab miliarder dhe ky do të bëhet si arabi miliarder që të ndajnë portin. Shpiku pasaportën e artë që të shiteshin apartamentet e Ramës dhe Alabbarit në Durrës.

Oreksi vjen duke ngrënë, i tillë është dhe Edi Rama. Kalon nga një aferë në një tjetër. Merrni djegësat. 420 milionë euro, që të gjitha vepër e tij personale. Për djegësin e Elbasanit janë përgatitur brenda 24 orëve 17 dokumenta nga institucionet. Burokracia nuk është kurrë e rrufeshme. Arben Ahmetaj tha nuk e lëviza unë qeverinë, e ka lëvizur ai tha. Sigurisht e ka lëvizur Rama dhe firmosi në kundërshtim flagrant me ligjin që nuk lejon firmosje në negociata të fshehura.

Nuk firmoset nga kryeministri në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Kryeministri firmosi se sipërmarrja ishte tij. E keni parë ju, arrestohet filani por djegësat nuk konfiskohen se çdo ditë u jepen 100 mijë euro. Mbetjet e Tiranës derdhen në Sharrë, në minierën e arit të Ramës dhe Veliajt. Vjedhjet e tyre nuk kanë fund, tenderat sekretë nuk lejohen, lejohen vetëm për SHISH ose Prokurorinë e Përgjithshme me raste. Sot vetëm AKSHI, agjencia që varet nga Rama ka firmosur 250 prokurime sekrete”, tha Berisha.