TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Artan Hoxha dhe Klodiana Lala kanë qenë të ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku kanë folur për ngjarjet më të bujshme kriminale gjatë vitit 2022.
Nga zhdukja e Ervis Martinajt dhe atentatet e shumta, ja si i klasifikojnë dy gazetarët e njohur të kronikës ngjarjet e rënda kriminale të vitit që po lëmë pas!
Artan Hoxha: Ngjarja më e rëndësishme e këtij viti, është ajo e 9 gushtit, e cila kulmoi pas një serie ngjarjesh që ndodhën para saj, ngjarjet e 17 korrikut dhe 21 korrikut, ajo që njihet si masakra e Fushë Krujës dhe ngjarja e Milotit. Në 9 gusht, me zhdukjen e Ervis Martinajt, mbetet dhe i qëndroj asaj që Ervis Martinaj është rrëmbyer dhe ekzekutuar. Është ngjarja më e rëndësishme e krimit gjatë këtij viti. Që nga ai moment nuk ndodhën më ngjarje. Ajo ngjarje është një vijë ndarëse që ndan evolimin e krimit të organizuar në Shqipëri, nga njëra dekadë në tjetrën.
Martinaj është i pari që arriti ta evolonte krimin e organizauar dhe ta përzientë kaq ngushtë me biznesin dhe politikën.
Martinaj, ndryshe nga personazhe të tjerë, nuk erdhi thjesht nga krimi por nga biznesi. Kur u fut në aktivitete kriminale, ai ishte i pasur. Atij nuk i mungonte ajo që kriminelët kërkojnë në fillim, pra burimet financiare.
Ngjarje të tjera ka patur. Përshembull, ngjarja tjetër e rëndësishëm është ajo e 29 prillit, kur u bë atentati ndaj Nuredin Dumanit. Nga aty dhe mbrapa ne kemi një histori tjetër, sepse këto janë të lidhura. Nëse do të ishte vrarë Nuredin Dumani, nuk do të shpallej në kërkim Ervis Martinaj. Nëse nuk do të shpallej në kërkim, do të lëvizte me eskortë me makina të blinduara. Me eskortë nuk lëviz dot më sepse krijon probleme të mëdha.
Pra këto janë dy ngjarje shumë të rëndësishme dhe mendoj se për një kohë të gjatë do të vijojmë të flasim për këto ngjarje.
Klodiana Lala: Në këndvështrimin tim, atentati mafioz i 17 korrikut ku mbeti i vrarë kushëriri i parë i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj, me dy miqtë e tij, mund të konsiderohet ngjarja më e rëndësishme. Për fatin e Martinajt ende nuk kemi një përgjigje, nëse e ka inskenuar apo është vrarë. Ishte ngjarje shumë e rëndë, mesazh i fortë që iu dha Ervis Martinajt nga kundërshtarët e tij. U krye atentati me ashpërsi të jashtëzakonshme. U zgjodh aks kryesor i vendit për tu kryer ekzekutimi.
Ervis Martinajt i kishin vënë në shënjestër edhe miq të tjerë më herët, në dy atentate ku ishin vrarë miq të tjerë, te Unza, të Instituti, kjo ishte ngjarje që kulmoi dhe nëse policia nuk do të ndërhynte do të ishte masakër e vërtetë dhe u pasua më pas me një tjetër atentat që ishte atentati në Milot në 22 korrik dhe me zhdukjen e Ervis Martinajt.
Një tjetër ngjarje është ajo e shpërthimit me eksploziv e Aleksandër Sadikaj. Është e rëndësishme, sepse atentate të tilla nuk ishin parë që nga koha e ish gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, apo disa atentate që ndodhën në 2005-2009 dhe më pas kulmuan në 2013, kur ministri i brendshëm ishte Saimir Tahiri. Ishte ngjarje që tregoi ashpërsi dhe përçoi mesazhe. U zgjodh një zonë shumë e populluar që për fat të mirë nuk shkaktoi viktima.
Rasti i tretë, është vrasja e Arben Mërkuri, që njihet me nofkën Maneci.
Ishte personazh i dyshuar për përfshirje në atentate të rënda kriminale. Dyshohej për përfshirje në atentat ndaj Edison Arizaj, i njohur si faqedjeguri.
Dyshohet për vrasjen e dyfishtë, të Juxhin Dautaj dhe një oficeri policie, Ervin Dalipaj.
Dyshohet po ashtu për pjesëmarrje në atentatin e parë ndaj Marklen Hakës në Nikël.
Dyshohej po ashtu për vrasjen e atij që njihej me nofkën Mond Çekiçi. Në këtë sens, duke qenë se ishte personazh kompleks, mendoj se ajo ngjarje riformuloi botën e krimit në qytetin e Durrësit. Këto janë tre ngjarjet më të rënda që kanë dominuar vitin.