AKTUALITET, 26 Dhjetor 2022, 13:39

“Më herët, iu arrestua kunati”, detaje të reja nga aksioni te shtëpia e Ervis Martinajt

“Më herët, iu arrestua kunati”, detaje të reja nga
Ervis Martinaj

Janë zbuluar detaje të reja në lidhje me aksionin e ndërmarrë nga FNSH dhe Renea, këtë të hënë, në banesën e bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj.

"Euronews" raportoi se ditët e fundit ka një rritje të vëmendjes nga strukturat ligjzbatuese ndaj familjarëve dhe të afërmve të Vis Martinaj.

Gazetari Eri Ferhati zbuloi se para disa ditësh është arrestuar kunati i Martinaj për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që një tjetër person i afërt është shoqëruar pasi po lëvizte me makinë të blinduar.

“T’iu jap dhe një informacion tjetër, ditët e fundit duket sikur ka një vëmendje të shtuar ndaj njerëzve të Ervis Martinaj. Pak ditë më parë është arrestuar kunati i tij për armëmbajtje pa leje, një person tjetër i afërt është shoqëruar në polici pasi lëvizte me një automjet të blinduar’, tha gazetari.

Gjithashtu Ferhati e cilësoi aksionin e sotëm të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë si një operacion të vonuar, të ndërmarrë 5 muaj pas zhdukjes së Martinaj.

“Sot ajo që mund të themi është fakti se hetimi është i shtrirë ne kohë dhe në hapësirë. Në këtë rast unë shtroj pyetjen pse prokuroria ka urdhëruar me kaq vonesë një kontroll të banesës së Ervis Martinaj, ku jemi në kushtet që prej 8 gushtit ai rezulton i zhdukur dhe për të ka një çështje penale. Është e vërtetë që është një veprim procedurial, por është një veprim i vonuar, nëse policia mendon se është në funksion të hetimit. Unë jam përpjekur të kuptoj me urdhër të kujt janë bërë këtë kontrolle, pasi Ervis Martinaj është çështje e SPAK, por zhdukja e tij po hetohet nga prokuroria e Kurbinit”, tha Ferhati.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga policia në lidhje me kontrollet e ushtruara në banesën e Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 5 muajsh.