AKTUALITET, 26 October 2026, 13:27

Dokumenti/ Protestat, Policia del me urdhër për komisariatet: Të identifikohen efektivët, jo kontroll telefoni pa autorizim gjykate

Dokumenti/ Protestat, Policia del me urdhër për komisariatet: Të

Policia e Shtetit ka nxjerrë një shkresë urgjente drejtuar komisariateve të Tiranës, ku kërkon marrjen e një sërë masash për respektimin e të drejtave të të miturve, në kuadër të protestave të fundit të studentëve.

Në dokumentin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, drejtuar komisariateve nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7, si dhe strukturave të Policisë në Krujë, kërkohet zbatimi korrekt i detyrimeve të përcaktuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe aktet ligjore në fuqi.

Po ashtu është kërkuar identifikimi i lehtë i çdo punonjësi policie gjatë detyrës, përmes numrit identifikues, si dhe identifikimi i automjeteve policore në çdo operacion.

Kërkesë tjetër është bashkëpunimi me strukturat përkatëse për menaxhimin e rasteve me të mitur, me qëllim shmangien e mbajtjes së tyre për periudha të panevojshme dhe transferimin në ambientet e tjera brenda kapaciteteve ligjore.

Policisë i ndalohet kontrolli i telefonave pa urdhër gjyqësor, ndërsa dokumenti thekson se nuk duhet të ketë asnjë kërkesë për përgjime jashtë bazës ligjore.

Gjithashtu, për çdo të mitur duhet të garantohet prania e prindit ose kujdestarit ligjor dhe e psikologut. Kërkohet edhe plotësimi i formularit për të drejtat e të miturit, përpara çdo pyetjeje, si dhe mbajtja e një regjistri të veçantë për këto raste.

Në shkresë kërkohet gjithashtu që strukturat policore të njihen me aktet ligjore për përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës, si dhe të plotësojnë me të gjitha të dhënat e nevojshme regjistrat e shoqërimit.

Në përfundim, drejtuesit e policisë kërkojnë marrjen e masave të përcaktuara në shkresë dhe zbatimin korrekt të detyrimeve ligjore për të miturit.

Dokumenti/ Protestat, Policia del me urdhër për komisariatet: Të