TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Qeveria shqiptare është gati të ndryshojë legjislacionin në fuqi dhe t’i japë të drejtë kompanive private të tregtojnë armë të renda brenda dhe jashtë vendit.
Përmes një drafti të hedhur për konsultim publik, i propozuar nga Ministria e Brendshme, qeveria kërkon të ndryshojë ligjin për armët, vetëm dy vite pas një sërë ndryshimesh që lidheshin me përafrimin e tij me legjislacionin e BE. Në draftin e propozuar qeveria propozon që në nenin 18 të shtohet germa “dh” me përmbajtje:
“Licenca për tregtimin e armëve të kategorisë B dhe për import dhe tregtim të armëve të gjahut, sportive, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre”. Aktualisht, në ligjin për armët të vitit 2014 dhe me ndryshimet në 2020, nuk ka qenë parashikuar dhënia e licencës për tregtim të armëve, por vetëm për aftësim teorik dhe praktik të personave për mbajtjen e armës kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë personi fizik apo juridik për të trajnuar dhe personi që do trajnohet.
Kjo licencë jepet nga Policia e Shtetit. Ndryshimet e vitit 2020, sollën një ngërç për dhënien e licencave për kategorinë B të armëve nga Policia e Shtetit te Ministria e Mbrojtjes, duke krijuar një vakum ligjor. “Është krijuar vakumi ligjor sa i përket përcaktimit të autoritetit, i cili lëshon licencën e tregtimit për kategoritë e armëve B, i cili synohet të plotësohet nëpërmjet miratimit të këtij projektligji, duke plotësuar kështu kuadrin rregullator për veprimtaritë e lejuara më armët”, thuhet në relacionin shpjegues të draftit.
Qeveria synon të korrigjojë këtë mungesë duke shtuar edhe termin “licencë për tregtimin e armëve”, duke shprehur gatishmërinë e saj për të lejuar shitjen e armëve të kategorisë B, përmes një ose disa kompanive që mund të licencojë të në ardhmen. Përpos shtesës për “shitjen e armëve”, ky licencim, nuk do të jetë më në dorë të Ministrisë së Mbrojtjes, por një komision i posaçëm në Policinë e Shtetit. Kjo pasi në draft propozimin e hedhur për konsultim publik, bëhet edhe një shtesë tjetër: Pas pikës 1, shtohet pika 1/1, më përmbajtjen si vijon: “Për veprimtarinë e tregtimit të armëve të kategorisë B, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre, që përfshihen në fushën e veprimit të këtij ligji, lëshohet licencë nga komisioni përgjegjës në Policinë e Shtetit”.
Heqja dorë e qeverisë për të kufizuar lejimin e shitjes së armëve të kategorisë B përfshin disa lloje armësh të rënda dhe luftarake. Kështu, në këtë kategori sipas ligjit bëjnë pjesë armët e llojeve si armët e shkurtra të zjarrit gjysmautomatike apo vetërimbushëse, armë zjarri të shkurtra për qitje. “armët e zjarrit të shkurtra për një qitje, me ndezje qendrore (B2); armët me ndezje anësore të shkurtra për një qitje, me gjatësi të përgjithshme më të vogël se 28 cm (B3); armët e zjarrit të gjata gjysmautomatike, me gushë ose fole për fishekë, që mund të mbajnë më tepër se tre fishekë (B4);
armët e zjarrit të gjata gjysmautomatike, me gushë ose fole për fishekë, që mund të pranojnë deri në tre fishekë. Kur mbushësi i tyre ndërrohet, këto armë mund të konvertohen, me ndihmën e një mjeti të zakonshëm, dhe të pranojnë më tepër se tre fishekë (B5); armët e zjarrit të gjata gjysmautomatike ose me përsëritje, me tytë të pavjaskuar, të gjatë deri në 60 cm (B6); armët e zjarrit pneumatike, me energji të predhës mbi 7,5 J dhe kalibër mbi 4,5 mm (B7)”, janë disa nga llojet e armëve, të cilat mund të shiten nga kompani private pas marrës së licencës nga Policia e Shtetit. Po ashtu, ndryshimi parashikon shitjen edhe të armëve të gjahut atyre sportive për poligone, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre.
Personat të cilët duan apo kanë nevojë për tu pajisur më armë zjarri, për nxjerrjen e një licence mund ta bëjnë edhe në portalin “e-Albania”. Në mesin e vitit të kaluar, qeveria botoi në Fletoren Zyrtare me 5 kritere për marrjen e një arme me leje. “Kërkesën për licencë; vetëdeklarim ‘Për verifikimin e gjendjes gjyqësore’ të personit fizik ose të administratorit të personit juridik, vërtetim nga gjykata që shoqëria nuk është në proces gjyqësor/nuk është dënuar dhe nga prokuroria që shoqëria nuk është në procedim penal;
letërnjoftim/pasaportë, të njohur sipas legjislacionit në fuqi të personit fizik ose të administratorit të personit juridik; kontratë pune me drejtuesin teknik; certifikatë mjekësore për veprimtaritë e lejuara me armët për personin fizik, për pronarët përfitues të personit juridik, sipas përcaktimit të ligjit ‘Për regjistrin e pronarëve përfitues’, drejtuesin teknik, si dhe personat e punësuar, veprimtaria e të cilëve lidhet drejtpërdrejt me armët, sipas udhëzimit në fuqi për llojet e vizitave dhe përmbajtjen e raportit mjekësor për veprimtaritë me armët, lëshuar nga autoriteti përkatës brenda 6 (gjashtë) muajve të fundit, që vërteton se është i aftë nga ana mendore dhe fizike”, janë kriteret që duhet të plotësojë një qytetar për të marrë një armë, shkruan Panorama.
NDRYSHIMET NË LIGJIN PËR ARMËT
Në nenin 18/2, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Titulli i nenit, ndryshohet dhe zëvendësohet me përmbajtjen si vijon: “Licenca për tregtimin e armëve të kategorisë B dhe për import dhe tregtim të armëve të gjahut, sportive, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre”.
2. Pas pikës 1, shtohet pika 1/1, më përmbajtjen si vijon: “Për veprimtarinë e tregtimit të armëve të kategorisë B, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre, që përfshihen në fushën e veprimit të këtij ligji, lëshohet licencë nga komisioni përgjegjës në Policinë e Shtetit”.
LLOJET E LICENCAVE: Në kuptim të këtij ligji, llojet e licencave janë:
a) licencë për import/eksport, ndërmjetësim, transit, prodhim dhe demilitarizim për armët e kategorive A dhe B, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre;
b) licencë për transportin e armëve, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre;
c) licencë për poligon civil qitjeje të hapur, të mbyllur, me pjatel;
ç) licencë për aftësimin teorik dhe praktik të personave për armën;
d) licencë për çaktivizimin e armëve të zjarrit për përdorim civil;
dh) licencë për import dhe tregtim të armëve të gjahut, sportive, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre.