AKTUALITET, 23 Mars 2023, 21:34

Lufta mes grupit të inceneratorëve/ Abilekaj tregon pse Mërtiri i ka dalë kundër Arben Ahmetajt

Lufta mes grupit të inceneratorëve/ Abilekaj tregon pse Mërtiri i

Analisti Enton Abilekaj, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku foli për luftën që ka shpëthyer mes "grupit" të inceneratorëve. 

Abilekaj tha se Mirel Mërtiri nuk ka dalë kundër Ahmetajt për arsye personale, por qëllimi i tij është të zgjerojë rrethin e personave që duhet të hetohen, për të reduktuar përgjegjësinë e tij. 

"Mërtiri ka dalë kundër Ahmetajt, që çështja të rikthehet në SPAK tani që nuk është më Arben Kraja. Mbrojtja e Mërtirit e ka akuzuar Krajën se e ka patur të pilotuar hetimin.

Mërtiri thotë nëse më dënoni mua, që nuk e kam emrin fare, atëherë të rikthehet çështja, dhe për këtë fut Ahmetajn si hallka më e dobët për të cilin kishte fakte vetë. Pra ideja është për tu zgjeruar rrethi i dënimeve. Nuk është çështje personale", tha Abilekaj. 

Lidhur me përgjegjësitë e Ahmetajt, analisti tha se ai nuk është i pafajshëm në historinë e inceneratorëve dhe se opozita nuk duhet të marrë kosto duke e mbrojtur. 

"Ahmetaj nuk është i pafajshëm në këtë punë. Askush nuk mund ti dalë në mbrojtje Ahmetajt në këtë çështje. As opozita nuk e merr dot në mbrojtje dhe nuk ka pse merr kostot.

Aty ku kuptojmë që SPAK intimidohet nga qeveria, është fakti që këtu shpenzohen 80 mijë euro në ditë për inceneratorin e Tiranës, vetëm për groposje të mbetjeve. 

Arben Ahmetaj tha se nuk jam aq i fuqishëm të bëja 17 vendime në një ditë. Kjo është e vërteta e tij dhe ajo që duhet të hetojë SPAK", tha Abilekaj.