AKTUALITET, 27 October 2026, 10:47

Tabaku: Nuk mund të sillemi sikur asgjë s’ka ndodhur! Ministri i Brendshëm të raportojë për dhunën ndaj studentëve

Tabaku: Nuk mund të sillemi sikur asgjë s’ka ndodhur! Ministri i

Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut dhe Medias, Jorida Tabaku, kërkoi sot që raportimi i ministrit të Brendshëm për dhunën ndaj protestuesve të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës së komisionit. Në nisje të mbledhjes, ajo dënoi trajtimin e të rinjve dhe të miturve nga policia, denoncoi sulmet ndaj gazetarëve dhe shprehu mbështetjen për protestën e studentëve.

“Nuk mund të mblidhemi dhe të sillemi sikur asgjë s’ka ndodhur”, deklaroi Tabaku, duke kërkuar që Kuvendi të ushtrojë përgjegjësinë e tij për kontrollin e institucioneve dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Tabaku solli në vëmendje vizitat e saj të përditshme në ambientet e paraburgimit, në komisariatet e policisë dhe në Spitalin e Traumës. Ajo tha se kishte takuar të rinj të dhunuar dhe prindër të tronditur nga trajtimi i fëmijëve të tyre.

“Ju siguroj, pa asnjë konotacion politik, se është bërë barbari ndaj të rinjve. Janë 1.000 të rinj të shoqëruar e të arrestuar, 250 prej të cilëve janë të mitur”, u shpreh ajo.

Duke iu drejtuar deputetëve të shumicës, Tabaku i ftoi të reflektojnë për përgjegjësinë njerëzore dhe institucionale përballë këtyre rasteve.

“Si do të ndiheshit në qoftë se fëmijët tuaj do të arrestoheshin dhe ju do të prisnit jashtë derës së komisariatit vetëm pse ishin veshur me të zeza?”, pyeti ajo.

Kryetarja e komisionit kërkoi raportim nga ministri i Brendshëm, drejtori i Policisë së Shtetit, Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sipas saj, institucionet duhet të japin shpjegime për përdorimin e forcës, pretendimet për rrahje brenda komisariateve dhe për personat pa numër identifikimi që, siç denoncoi ajo, kanë goditur protestuesit.

“Duhet të raportonte se kush ishin ata persona pa numër identifikimi që kanë rrahur të rinjtë e Tiranës. Duhet të raportonte për shkeljen e të drejtave të njeriut”, theksoi Tabaku.

Një pjesë të fjalës së saj ajo ia kushtoi situatës së gazetarëve gjatë mbulimit të protestave. Sipas shifrave të paraqitura prej saj, 47 gazetarë janë kërcënuar, intimiduar apo goditur, ndërsa në 43 raste përgjegjësia i atribuohet policisë. Tabaku iu referua edhe shqetësimeve të Reporterëve pa Kufij për pengimin dhe cenimin e gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës, përfshirë rastet kur ata ishin identifikuar si punonjës të medias.

Në këtë kontekst, ajo kritikoi paketën e paralajmëruar nga qeveria për tubimet, duke e cilësuar si përgjigje ndëshkuese ndaj qytetarëve që protestojnë. Tabaku kundërshtoi kalimin e saj me akt normativ, pa transparencë dhe konsultim, duke argumentuar se një qasje e tillë bie ndesh me parimet kushtetuese dhe frymën e integrimit europian.

“Ky është parlamenti i integrimit europian? Parlamenti që nuk lejon tubimet? Parlamenti që shkel Kushtetutën?”, u shpreh ajo.

Deputetja e PD-së akuzoi shumicën për përdorimin e dy standardeve: lehtësim të ligjit për zyrtarët e akuzuar për korrupsion dhe ashpërsim të masave ndaj qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë.

“Kush ngre zërin kundër qeverisë, aty është i fortë ligji”, deklaroi Tabaku, duke kërkuar reflektim për një sistem që, sipas saj, ka përqendruar pushtetin dhe pasurinë në pak duar.

Ajo i lidhi protestat edhe me kundërshtimin e ligjit të investimeve strategjike, paketës së maleve dhe ndërhyrjeve në legjislacionin mjedisor. Sipas Tabakut, këto shqetësime lidhen drejtpërdrejt me detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe duhet të trajtohen nga Kuvendi.

Në përfundim, Tabaku theksoi se studentët dhe qytetarët po kërkojnë një zgjidhje politike, tërheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike. Ajo kërkoi që shqetësimet e protestuesve të bëhen pjesë e axhendës parlamentare, duke nisur me raportimin e ministrit të Brendshëm.

“Kjo axhendë që Shqipëria ka, që nuk e vendosim dot ne, e ka vendosur rruga, e kanë vendosur studentët, e ka vendosur protesta, të sillet edhe këtu në parlament”, përfundoi ajo.

Fjala e Tabakut në Komision

Përshëndetje, ditë të mbarë. 
Nis herët mbledhja e komisionit sot, dhe ka një rend dite, në fakt, i cili është miratuar me kohë. Është miratuar përpara, por përpara se të nisë rendi i ditës, sot është ligji për mbrojtjen e konsumatorit, që ka ardhur si propozim edhe i qeverisë, edhe i një deputeti. 

Por përpara se të nisë rendi i ditës, unë doja, në fakt, që të diskutonim për 2 çështje që lidhen me aktualitetin. Shqipëria ka një realitet tjetër sot, për rreth 150 ditë qytetarët kanë protestuar në sheshe, në rrugët e Tiranës, në bulevard, për të kërkuar elementë të cilët lidhen me procesin e integrimit. Ato e nisën me një kërkesë për ligjin e investimeve strategjike, një ligj klientelist dhe korruptiv që ka ndarë pasuritë publike dhe uljen e taksave ke një dorë biznesesh, tw lidhur me qeverinë. 

Kërkuan shfuqizimin e paketës së maleve, kërkuan njëkohësisht ndryshime në ligjin për mbrojtjen e mjedisit, dhe të tre këto kërkesa janë kërkesa edhe të procesit të integrimit, janë kërkesa të cilët opozita në shumë raste i ka kërkuar, kërkesa të cilët janë të detyruar qeveria shqiptare t'i zbatojë, edhe si rezultat i angazhimeve që ka marrë në pozicionet negociuese dhe në detyrimet përmbyllëse të kapitujve. 

Dhe mbas një proteste 150 ditë, që unë nuk e kisha parë ndonjëherë, megjithëse kam kohë që jam e angazhuar në politikë, para 2 javësh studentët nisën angazhimin e tyre. Protesta e studentëve, në fakt, është një protestë e cila të gjithëve na bëri të reflektojmë. Dhe unë kisha shpresuar që do të kishim reflektim edhe nga ana e maxhorancës. Një protestë e cila ishte kundër asaj që ka prodhuar ky parlament. 

Një politikë e papërfaqësuar, një politikë e cila sot, fatkeqësisht, merr vendime duke ngritur kartonin, duke ulur kokën, pa sjellë absolutisht asnjë element pozitiv përmirësim në jetën por edhe në përditshmërinë e qytetarëve. Një protestë e cila nisi në mënyrë paqësore, më pas përshkallëzoi, duke parë një dhunë të paprecedent, një dhunë e cila rrugët e Tiranës nuk e kishin njohur që mbas rënies së komunizmit. 

Në emër të opozitës kam kërkuar që në këtë komision të raportojë Arvin Demo. Kam kërkuar që të raportojë Skënder Hitaj. Kam kërkuar që të raportojë komisioneri për antidiskriminimin. Sepse ne kemi parë qytetarë të Tiranës të dhunoheshin e tërhiqeshin zvarrë. Në cilësinë e kryetares së këtij komisioni kam qenë 2 herë në ditë në paraburgim. Kam qenë çdo darkë në komisariatet e policisë. Kam qenë çdo ditë në spitalin e Traumës. Dhe ju siguroj, pa asnjë konotacion politik, se është bërë barbari ndaj të rinjve. Janë 1.000 të rinj të shoqëruar të arrestuar, 250 prej të cilëve janë të mitur. Janë të mitur, si do ndiheshin në qoftë se fëmijët tuaj atje do të arrestoheshin? E ju do prisnit jashtë derës së komisariatit vetëm pse ishin veshur me të zeza. Si do ndiheshit në qoftë se do ishin të afërmit tuaj? Si do ndiheshit në qoftë se do ishin persona të cilët ju keni lidhje? Kam takuar prindër të shokuar. Kam takuar prindër që ishin thyer fëmijëve gjymtyrët. Që i ka gjuajtur policia në mënyrë çnjerëzore në kokë. Dhe sot neve nuk mund të mblidhemi dhe të sillemi sikur asgjë s'ka ndodhur. Unë e kam theksuar gjithmonë që unë jam për përdorimin e institucioneve. Por ne duhet që t'i japim vlerë parlamentit. Dhe duhet që në këtë parlament, patjetër të raportonte ministri i brendshëm. Me një kërkesë që unë kam bërë këtu që një javë më parë. Duhet të raportonte drejtori i policisë për masat ekstreme që ka marrë. Për trajtimin çnjerëzor, për rrahjen në komisariate. Duhet të raportonte se kush ishin ato persona pa numër identifikimi që kanë rrahur të rinjtë e Tiranës. Duhet të raportonte për shkeljen e të drejtave të njeriut. 

Ndërkohë që si komision ne na takon që të flasim edhe për situatën me mediat.
47 gazetarë janë kërcënuar, janë intimiduar, janë gjuajtur në 43 raste kjo ka ndodhur nga policia. I kam kërkuar sekretarisë së komisariatit të ndante me ju raportin e Reporterëve Pa Kufij. Një raport i cili ngre shqetësime të jashtëzakonshme për sa i përket trajtimeve ndaj gazetarëve. Cënimit të të drejtës së tyre për të ushtruar funksionin. Edhe kur janë identifikuar si gazetarë. E të gjitha këto marrin një përgjigje të qartë nga ana e qeverisë. 

Përgjigja nga ana e qeverisë është paketa e re për tubimet. Në mëngjes i kërkon dialog mbasdite i rreth në darkë thotë që kush mblidhet 3 veta do ketë gjobë. Kush shkon në protestë do ketë gjobë. Ça janë këto reminishencat komunizmi? Që doni, që sot t'i sillni edhe një herë mbas 36 vitesh. Ky është parlamenti i integrimit europian? Parlamenti që rreth të rinjtë? Parlamenti që nuk lejon tubimet? Parlamenti që shkel kushtetutën? Ky është parlamenti i integrimit? 

Prandaj, të nderuar kolegë, ju kërkoj, jo vetëm si politikane, ju kërkoj edhe si nënë, ju kërkoj edhe si qytetare për aq sa keni mundësi për atë që përfaqësoni, për qytetet tuaj, për qytetarët që ju kanë sjellë në këtë parlament, të ngrihemi në lartësinë e detyrës që na takon. Të thërresim këtu për të raportuar ministrin e brendshëm, të thërrasim këtu për të raportuar Avokatin e Popullit, të thërresim këtu për të raportuar të gjithë institucionet që kanë shkelur të drejtat e njeriut. 

Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është një ligj shumë i rëndësishëm, që unë si deputete vitin e kaluar e kam propozuar me një paketë masash. E refuzuat. E shkelët me dy këmbë, se ky është dialogu juaj. Sot nuk ka më asnjë valvul për shkarkimin. Sot qytetarët ndihen të papërfaqësuar, sepse parlamenti i cili funksionon si në komunizëm, se edhe Enver Hoxha kishte parlament. I merr vendimet pa asnjë debat, pa transparencë. Vendimet e gjykatës kushtetuese nuk zbatohen. Nuk kemi një pavarësi të institucioneve, kemi një reformë territoriale që bëhet në mënyrë të njëanshme, një reformë elektorale që do përfundojë dhe ajo në mënyrë të njëanshme. Çfarë duhet të bëjmë ne si përfaqësues të qytetarëve? 

Në qoftë se kjo situatë që kemi parë në rrugët e Tiranës nuk mund të na ngrinte të gjithëve bashkë në këmbë dhe të na bënte bashkë për të reflektuar që ky parlament të ndryshonte, unë nuk e di se cila situatë mund të na bënte. Kjo vjen pikërisht në momentin kur qeveria ka prezantuar edhe ndryshime në kodin e procedurës penale. Ndryshimet në kodin e procedurës penale që i sollët se thoshit që burgjet janë mbushur plot me paraburgimin, se kishit hallin e të korruptuarve, atyre të korruptuarve që mbroni me imunitet dhe do t'i çlirojmë, thoni, burgjet nga paraburgimi, ndërkohë që të paraburgimi që vjen nga korrupsioni dhe krimi i organizuar nga SPAK-u është vetëm 5%. 

Sot do t'i mbushni me këto që protestojnë. Këto që protestojnë duhet të shohin forcën e ligjit. Ndërkohë që ligji për ato që janë të korruptuar e mbrohen me imunitet me mbrojtje politike që ia jepni ju si në rastin e ish zëvendës kryeministres, për ato ligji është fleksibël, për ato ligji është i butë. Kush ngre zërin kundër qeverisë, aty është i fortë ligji. Kjo situatë sot ka nevojë që të gjithë të reflektojmë. Të reflektojmë për këtë sistem që ka përqendruar pasuri, për këtë sistem që ka përqendruar pushtetin, për këtë sistem që dhunon median, që dhunon qytetarët. Nuk mund të sillemi sikur asgjë s'ka ndodhur. Për këtë arsye ju kërkoj, kolegë, që propozimin që ka sjellë Partia Demokratike për raportim të ministrit të brendshëm ta vendosim në rendin e parë të ditës. Dhe të mos sillemi sikur ndodhemi në një realitet tjetër. Të mos sillemi sikur asgjë s'ka ndodhur. Unë ju siguroj që paketa e tubimeve që do kaloni me akt normativ pa transparencë, pa konsultim, se ndërkohë që kërkoni dialog me qytetarët, këtë e sillni pa dialog. 

Ndërkohë që thoni që procesi i integrimit duhet të jetë gjithëpërfshirës, e sillni këtë në kundërshtim edhe me parimet që ka dhe kushtetuta dhe procesi i integrimit, por edhe të gjitha konventat ndërkombëtare të OKB-së. Duhet patjetër që sot të kemi një qasje tjetër. Të kemi një ndryshim. Unë e kam humbur shpresën që ju do reflektoni dhe do ndryshoni. Po të më kërkonit 2013-ën, do ju sillja amendamente. E kemi bërë këtë. Po sot njerëzit kërkojnë një zgjidhje politike, kërkojnë tërheqjen e qeverisë, kërkojnë një qeveri teknike, kërkojnë që të reflektojmë për këtë sistem që sot ka përqendruar çdo pushtet në një dorë dhe që sot fatkeqësisht ka ndrydhur edhe të ardhmen e Shqipërisë. Kështu që kërkesa ime është që kjo axhendë që Shqipëria ka që nuk e vendosim dot ne, e ka vendosur rruga, e kanë vendosur studentët, e ka vendosur protesta, të sillet edhe këtu në parlament dhe ne të kemi këtë rend dite sot.