TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ku është takuar fillimisht me kryetarin e Parlamentit, Lindsay Hoyle.
Rama thotë se Hoyle shprehu keqardhjen për retorikën "shqetësuese ndaj shqiptarëve", por theksoi "domosdoshmërinë e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale".
"Takim me Kryetarin e Kuvendit të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Hoyle, i cili shprehu keqardhje për retorikën shqetësuese ndaj shqiptarëve dhe duke nënvizuar domosdoshmërinë e luftës së përbashkët kundër rrjeteve kriminale, theksoi vlerat e pamohueshme të komunitetit shqiptar në Britani, si edhe ngriti lart rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare", shkruan Rama.
Kryeministri do të takohet me homologun e tij, Rishi Sunak, takim që do të zhvillohet në Downing Street pasditen e sotme, ku pritet të diskutohet për çështje të emigracionit, krimit të organizuar dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Pse u kthyen shqiptarët në çështje dite në Britani?
Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, u kthyer në një problem serioz për autoritetet britanike, kur papritur në vitin 2022, u vu re një rritje e jashtëzakonshme e kalimeve me gomone, situatë e cila e ktheu vëmendjen e autoritetetve drejt origjinës së problemit, Shqipërisë.
Gjatë muajve Maj-Shtator 2022, shqiptarët u kthyen në kombësinë me numrin më të lartë të kalimeve të paligjshme drejt MB me gomone, me rreth 42% të të gjithë kalimeve. Konkretisht 11,102 shqiptarë ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në vetëm pesë muaj, shifra këto që alarmuan autoritetet britanike.
Një tjetër statistikë, që sugjeron se ka një problem serioz të kriminalitetit shqiptar në MB, është numri i të burgosurve me kombësi shqiptare. Kështu, deri në fund të Qershorit 2022, shqiptarët ishin të parët për nga kombësitë e huaja, që popullonin burgjet e Anglisë dhe Uellsit, duke kaluar polakët dhe rumunët, të cilët kanë një diasporë disa herë më të madhe në Britani, krahasuar me atë shqiptare.
Shqiptarët u kthyen në çështje të ditës në mediat dhe politikën britanike, duke sjellë edhe përplasje të ashpra në distancë mes kryeministrit shqiptar dhe autoriteteteve vendase. Kryeministri Rama e quajti MB-në një "çmendinë", ndërkohë që dënoi retorikën e Ministres së Brendshme, Suella Braverman, e cila kishte mbajtur një fjalim të ashpër në parlament, ku fliste për "pushtim" të vendit dhe u referohej në fjalën e saj edhe "kriminelëve shqiptarë".
Retorika e ashpër u pasua nga një protestë e komunitetit shqiptar në Westminster, ku kërkonin distancimin e qeverisë nga deklaratat e Braverman.
Në dhjetor 2022 MB dhe Shqipëria u zotuan me anë të një marrëveshje për kthimin e shpejtë të emigrantëve të paligjshëm.
Në mars 2023, qeveria britanike prezantoi një ligj, sipas të cilit, Sekretarja e Brendshme do të ketë "detyrimin të largojë" ata persona që hyjnë në MB, nëpërmjet rrugëve të paligjshme dhe ky obligim do të ketë prioritet ndaj të drejtës së tyre për të kërkuar azil.