NË FOKUS, 14 Nëntor 2021, 15:10

Lojërat e fatit ikën, rilindin kazinotë

Lojërat e fatit ikën, rilindin kazinotë

Kompanitë e lojërave të fatit ishin historikisht ndër më fitimprurëset në vend, edhe për normë, edhe në vlerë. Por, pas një vendimi politik, nga 1 janari i vitit 2019, ligji për lojërat e fatit mbylli pak vite më parë aktivitetin për bastet sportive dhe kazinotë elektronike, duke lejuar vetëm aktivitetin e kazinosë në qendër të Tiranës, bingot tradicionale dhe Lotarinë Kombëtare (një koncesion 10-vjeçar).

Në 2019-n, “Regency International Casino Tirana” u rendit në vendin e 13, pasi fitimet u pesëfishuan në 1.3 miliardë lekë. Në 2020-n, fitimi i saj ra me 70%, në 353 milionë lekë, nga mbyllja e përkohshme e aktivitetit gjatë pandemisë.

“Adria Entertainment” (ish-APEX), dikur një ndër më fitimprurëset në vend ka rihyrë në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pasi në maj 2020 ajo u pajis me licencë për ushtrim aktiviteti në fushën e lojërave të fatit, kategoria “Kazino të vendosura në hotel me 5 yje”. Të ardhurat e shoqërisë u shumëfishuan në 1.1 miliardë lekë në 2020 (nga 4.6 milionë lekë një vit më parë), ndërsa fitimet rezultuan në 141 milionë lekë.

Qeveria ka dhënë dritën e gjelbër për disa subjekte kazinoje në vend, duke e çuar numrin e tyre, deri tani, në tre, krahas Regency Casino, që ushtron prej vitesh aktivitetin në kryeqytet.

Zhvillimi i tyre erdhi, pasi qeveria më herët miratoi zonën ku mund të hapeshin kazinotë në kryeqytet dhe më pas bëri njoftimin për dorëzimin e kërkesave nga subjektet e interesuara (aplikimet u mbyllën më 23 tetor 2020).

Tiranës i është shtuar kazinoja e dytë, në një hotel me 5 yje. Royal Eagle Casino e vendosur në MAK Albania.

Më herët ishte Grand Casino Tirana e hapur në gusht 2020 në Maritim Plaza Hotel, e cila nisi aktivitetin, duke ofruar lojëra elektronike, makineri slot, ruletë elektronike lojëra live, ruletë amerikane, apo poker.

Kazinoja e tretë dhe më e fundit është hapur në qytetin e Vlorës në një tjetër strukturë me 5 yje. Bëhet fjalë për Marina Bay. Kjo e fundit ka marrë brandin e Maritim, duke garantuar kushtin që lidhet me markat e mirënjohura, e vendosur në një zonë turistike siç është Vlora.

Më 31 dhjetor 2018, qeveria vendosi mbylljen e kazinove elektronike, basteve sportive, bastet për garat në pistë, sallat e bingove dhe lojërat e fatit elektronike në distancë (online). Të vetmet që u lanë në këtë fushë ishin kazinotë në hotele me 5 yje, ndërkohë që kazinoja e vetme me një licencë 10-vjeçare Regency (Parku Rinia, tek Tajvani) iu la kohë deri në mbarimin e afatit.

Bingot televizive, si dhe Lotaria Kombëtare, mund të vijonin aktivitetin brenda kornizës ligjore. Por për disa vite pati një lloj harrese të sektorit, të paktën formalisht, pasi në mënyrë informale lojërat e fatit kanë lulëzuar (këtë e tregojnë edhe raportet e vazhdueshme të policisë.

“Lotaria Kombëtare” vijon të jetë një aktivitet jofitimprurës, që kur filloi aktivitetin në 2012, për shkak të shpenzimeve të larta për çmimet financiare, marketingut e të aktivitetit. Të ardhurat në 2020-n u përgjysmuan në 372 milionë lekë. Kompania vijon të deklarojë humbje të larta, që në 2020-n arritën në 302 milionë lekë. Kompania austriake, që menaxhon Lotarinë Kombëtare, pritet të largohet nga Shqipëria pas përfundimit të vlefshmërisë së licencës së fituar në vitin 2012.

Burime pranë kompanisë bëjnë të ditur se performanca e dobët e kompanisë, që prej fillimit të aktivitetit, ka bërë që aksionerët të orientohen drejt vendimit për të mos e rinovuar licencën 10-vjeçare. Albanisch Osterreichische Lotterien Holding e mori licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare në vjeshtën e vitit 2012, ndërsa ajo u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars 2013 dhe kjo mund të konsiderohet si data efektive e hyrjes në fuqi të koncesionit. Humbjet e akumuluara në bilanc, deri në fund të vitit 2020, arritën në 3 miliardë lekë./Monitor/