AKTUALITET, 2 Shtator 2021, 11:28

Kabineti "Rama 3"/ Kryeministri publikon zyrtarisht emrat e ministrave të rinj


Kryeministri Edi Rama ka zyrtarizuar emrat e ministrave të rinj të kabinetit qeverisës.

Ajo që bie në sy, është fakti se kabineti do të ketë vetëm katër burra, ndërkohë që gratë do të marrin dymbëdhjetë poste.

Mes tyre ka disa surpriza, si largimi i Blendi Klosit nga kabineti dhe zëvendësimi i Anila Denajt, me drejtoreshën e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në detyrën e Ministrit të Financave.

Zv. Kryeministër do të jetë Arben Ahmetaj, ndërkohë që për Damian Gjiknurin nuk ka asnjë post ministror.

Kryetare e Kuvendit do të jetë Lindita Nikolla.

Kabineti i ri:

Zv Kryeministër - Arben Ahmetaj

Ministër i Drejtësisë - Ulsi Manja

Ministër i Brendshëm - Bledi Çuçi

Ministre e Ekonomisë dhe Financave  - Delina Ibrahimaj

Ministre e Kulturës - Elva Margariti

Ministër i Mbrojtjes - Niko Peleshi

Ministre e Jashtme - Olta Xhaçka

Ministre e Infrastrukturës - Belinda Balluku

Ministre e Shëndetësisë - Ogerta Manastirliu

Ministre e Turizmit dhe Mjedisit - Mirela Kumbaro

Ministre e Arsimit: Evis Kushi

Ministre e Bujqësisë: Frida Krifca

Ministra të Shtetit - Elisa Spiropali, Edona Bilali, Bora Muzhaqi, Milva Ikonomi

FJALA NË ASAMBLE 

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Edi Rama u bëri thirrje socialistëve, ta shohin fitoren e mandatit të tretë si një sfidë të madhe dhe të mos lejojnë që partia “të kthehet në një azil pleqsh” në të ardhmen.

Rama kërkoi që partia të mos shihet vetëm si një mundësi punësimi në shtet, por të jetë “ushqim për shpirtin politik”.

Ne sot duhet të veprojmë, ua kemi borxh atyre që vijnë pas nesh dhe atyre që i dhanë jetë kësaj partie. Sot duhet të mendojmë për shëndetin, forcën e PS-së, për një afat më të gjatë se katër vjet. Ngritja sa më parë e një akademie politike të PS, për edukimin në vazhdim të bashkësisë tonë. Nuk ka zgjidhje magjike, por është imperativ i kësaj kohe të ndërmjetme, mes nesh dhe gjeneratës së 20 vjeçarëve. Nëse nuk doni që PS, një ditë aspak të bukur, të bëhet një azil pleqsh, duhet të veprojmë sot. Pa menduar, që kjo nuk do të ndodhë në kohën kur ne kemi pushtetin. Nuk do të ndodhë, por mund të ndodhë shumë më shpejt se parafytyrimi im. Pa një qasje të re edhe makineria jonë deri sot e pathyeshme elektorale, rrezikon të mbetet një ditë në rrugë, pa benzinë.

Në pamundësi për të rendur më tutje, por kjo parti rrezikon të katandiset si simotrat e veta, kashtë e koqe, pa kokë dhe pa krah rreth saj. Atëherë politikën shqiptare dhe përmes politikës, jetën e fëmijëve tanë, do ta merrte për fare në rrugën e djallit, llumi. Ne ende sot i kemi lidhje me njerëzit, por nuk janë lidhje që kanë garancinë afatgjatë, janë lidhje që mund të këputen nga viti në vit. Nga katë vjecari në katër vjecar. Nëse këputen, bëhen të pangjitshme. Shikoni si kanë përfunduar jashtë partitë e mëdha socialiste. Pikërisht sepse nuk kanë mundur për një mijë e një arsye, të jenë ushqim, jo për interesat e ngushta, por për shpirtin politik, mendjet politike, pasionin politik“, tha Rama.

“FITORJA MË E VËSHTIRË”

Kryeministri e ka quajtur fitoren e mandatit të tretë si të vështirë dhe ka deklaruar se pas saj, është i trazuar. Rama bëri thirrje që partia të mos e humbasë qëllimin dhe të bëjë të pamundurën për t’u rikonfirmuar për një mandat të katërt.

Kjo është fitorja në e vështirë që kemi arritur. Fakti që jemi ne të parët që e arrijmë, flet për veçorinë dhe vështirësinë e posatçme të kësaj fitoreje. Kjo është fitorja jonë më e vështirë për t’u merituar. Ndryshe nga sporti, kur fitoret meritohen kur arrihen, në politikë meritohen vetëm pasi arrihen. 

E vetëkuptueshme, të katërtën do ta kemi më të vështirë se të tretën. Por, nuk e luan topi se detyra jonë ndaj atyre që na besuan dhe ndaj Shqipërisë, është të bëjmë të pamundurën të rikonfirmohemi pas katër vitesh. 

Sot do t’ju flas shumë hapur dhe do t’ju them se nuk kam qenë asnjëherë kaq i trazuar pas një fitoreje, sepse sa më shumë gara fiton, aq më shumë rrezikon të humbasësh sensin e vetë-korigjimit. Kjo sfidë e re, më të madhen e vështirësive, ka vështirësinë e të kuptuarit të të gjithëve, e adresimit të nevojës për t’u përmirësuar më tutje. 

Dehja nga fitoret, fryrja nga vetëpëlqimi, nënvlerësimi i rivalëve, shpërfillja ndaj dobësive, qorrimi ndaj boshllëqeve, shurdhimi ndaj kritikave, janë tipare të fituesve që kthehen në humbës. T’i shtrijmë sytë sa më para në horizont. Të gjejmë fuqi të reja për të parë veten dhe për ta parë fitoren e arritur me sy kritik“, tha ndër të tjera Rama.

/TPZ.al/