NË FOKUS, 6 Tetor 2021, 15:27

“Eksodi në PD”/ Kush janë deputetët që bënë me “dhimbje koke” Bashën, duke dalë në mbështetje të Berishës

“Eksodi në PD”/ Kush janë deputetët që

Pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka nisur një tur në mbarë vendin, për të komunikuar me bazën e partisë. Në këto takime, Berisha e ka quajtur Lulzim Bashën “ish kryetar” i partisë dhe ka paralajmëruar aksione konkrete për të sfiduar vendimet e tij. Ekziston një perceptim publik, se Berisha ka mbështetjen e bazës së partisë, por jo edhe aq nga grupi parlamentar. Megjithatë, gjatë takimeve të “Foltores” është vënë re, se ish kryeministrit po i bashkohen edhe deputetë të partisë, një trend ky që nëse do të vijojë, mund të rezultojë në një “eksod” të vërtetë brenda kësaj partie.

TPZ.al, ka renditur deputetët që aktualisht kanë shfaqur mbështetje ndaj Berishës në “Foltore” dhe janë shprehur kundër vendimit të kryetarit të partisë për ta përjashtuar.

Flamur Noka, i cili gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ka mbajtur postin e Ministrit të Brendshëm, është deputeti i parë nga Partia Demokratike i cili ka kundërshtuar përjashtimin e Berishës, duke i kërkuar llogari me tone të ashpra, Lulzim Bashës, në mbledhjen e grupit parlamentar.  Noka është shprehur se “Sali Berisha është njeriu më proamerikan, themeloi PD dhe u ngrit kundër regjimit me vlerën amerikane në shpirt. Kështu u themelua PD. Jetoi për 30 vjet. Busulla ka qenë një dhe një orientimi euroatlantik, vendimi i Bashës është individual dhe duhet të vendosë kuvendi kombëtar I PD –së”. 

Mbështetës i Berishës publikisht, sapo është njoftuar përjashtimi i tij nga grupi parlamentar, ka qenë edhe Tritan Shehu, i cili njihet si një ndër personat më besnikë të tij ndër vite. Shehu ka dalë në krah të Berishës në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe gjatë takimeve të Foltores në Tiranë dhe Durrës.

Deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj , që kryesoi listën e këtij qarku për Partinë Demokratike, ka shfaqur gjithashtu mbështetje për Berishën. Ai organizoi takimin e ish kryeministrin me bazën e partisë në Vlorë. Pjesëmarrja në këtë qytet ishte mjaft e lartë. Leskaj pas vendimit të Bashës, e ka kundërshtuar kreun e partisë në mbledhjen e grupit ,duke u shprehur se vendimi  tij ishte i gabuar .

Edi Paloka, ish kryetar i grupit parlamentar të demokratëve, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, gjithashtu ka kundërshtuar vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar dhe është rreshtuar në krah të Berishës. Paloka ka qenë dhe organizatori i “Foltores” së Durrësit dhe ka shfaqur mbështetjen hapur për ish kryeministrin.

Në krah të Berishës publikisht është shfaqur edhe Luan Baci, deputet dhe kryetar i PD –së së Fierit. Baci ka qenë deputeti i parë nga rrethet, që ka pritur në takimet e “Foltores” Berishën. Ai është shprehur se prania e tij në krah të Berishës është kërkuar nga anëtarët e PD-së në Fier. Në një prononcim për gazetarin Ylli Rakipi në emisionin “Të Paekspozuarit”, Baci deklaroi se vendimi i Bashës, për përjashtimin e Berishës, nuk është pritur aspak mirë nga baza.

Një tjetër figurë e rëndësishme e Partisë Demokratike, që i’u bashkua publikisht “Foltores” së Berishës në Durrës, është Oerd Bylykbashi. Ai është pozicionuar që ditën e parë, kundër vendimit personal të Lulzim Bashës. Bylykbashi ka qenë njeriu kyç në PD për çështjet zgjedhore, duke qenë edhe përfaqësues i partisë në tryezat e reformave zgjedhjore. Bylykbashi e ka humbur këtë rol dhe tashmë duket i mënjanuar nga kryetari i partisë. Dalja e tij krah Berishës, ishte një surprizë për shumëkënd. Bylykbashi është shprehur edhe në lidhje me mbledhjen e Kuvendit të PD-së, që kundërshtohet nga Basha, duke deklaruar: “Kemi dëgjuar, që kryetari thotë për moslejimin e votimit nga anëtarësia, por ky është një proces që është jashtë kontrollit të kryetarit dhe kjo është një e drejtë që e përcakton statuti”. 

Edmond Spaho ish kryetar i grupit parlamentar të PD, dhe ish ministër, është një tjetër deputet aktual i PD-së, që është distancuar nga vendimi i Bashës. Spaho në një reagim në rrjetet sociale, shpjegoi arsyet e këtij vendimi, duke u shprehur se PD është në gjendje kritike pas zgjedhjeve të 25 prillit duke theksuar se hapja e partisë, debati dhe dëgjimi i anëtarësisë janë rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë. “Hapja e Partisë, debati midis nesh, kolegjialiteti në vendimmarrje dhe veccanërisht dëgjimi i anëtarësisë janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe shpëtuar PD. Janë këto arsyet që më shtyjnë të mbështes dhe marr pjesë në “Foltoren” e organizuar në qytete të ndryshme të vendit. Unë “Foltoren” nuk e përkrah për emocion, por për idetë, frymën e lirisë që shpërndan dhe kohezioni”, deklaroi Spaho.

Një tjetër deputet që është shfaqur në “Foltoren” e Berishës, është Isuf Çela, deputet i qarkut të Kukësit.

Emra të tjera nga e djathta, që i janë bashkuar në takime Sali Berishës janë: Ish Preidenti , Bujar Nishani, Nard Ndoka, ish deputeti Igli Cara në Durrës, ish deputeti Dashamir Tahiri,  ish-sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata, ish deputetët Klevis Balliu, Gent Strazimiri, Aldo Bumçi, Astrit Veliaj, Anton Frroku, Keltis Kruja, Albina Deda, Liljana Elmazi si edhe Arbjola Halimi. Ndërsa sot në Gjirokastër publikisht në krah të Berishës do të shfaqet edhe Dasho Aliko, ish kryetar i Komunës së Lazaratit.

Një figurë shumë e rëndësishme e të djathtës shqiptare, Jozefina Topalli, ka dalë gjithashtu në mbështetje të “Foltores”. Në emisionin “Të Paekspozuarit”, ajo deklaroi se e mbështet këtë nismë, që hap një debat shumë të nevojshëm në Partinë Demokratike. Topalli nuk ka qenë prezente fizikisht në takimet e Berishës, por e ka bërë të ditur mbështetjen e saj ndaj nismës së tij.

Burime bëjnë me dije për TPZ.al, se në takimet e “Foltores” do të shfaqen edhe deputetë të tjerë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët nuk  kanë folur ende publikisht në mbështetje të ish kryeministri.

Ky “eksod” i demokratëve, duket se do ta vendosë në vështirësi kruen aktual të partisë, duke rrezikuar një ndarje të PD-së në dy kampe.