NË FOKUS, 9 Shtator 2021, 20:11

Lulzim Basha “dorëzon” Sali Berishën, e përjashton nga Grupi Parlamentar i PD-së

Lulzim Basha “dorëzon” Sali Berishën, e përjashton

Presioni amerikan duket se më në fund e ka bindur Lulzim Bashën, të dorëzojë babain e tij politik, Sali Berishën.

Ai ka vendosur të përjashtojë ish kryeministrin, nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, një ditë para nisjes së legjislaturës së re parlamentare.

Vendimi vjen pas shpalljes së Sali Berishës non-grata nga SHBA, si person i korruptuar dhe që ka minuar demokracinë në Shqipëri.

Basha e njoftoi këtë vendim me anë të një video-mesazhi dhe deklaroi se sot është një ditë mjaft e vështirë për të.
Ai tha se Berisha do të jetë i përjashtuar nga grupi parlamentar, derisa të përfundojë procesi ligjor që ai nisur, ndaj Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.  Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni tetë vjeçar i Edi Ramës“, tha Basha ndër të tjera.

Kreu i PD-së. ka qenë nën një presion të shtuar, për të vendosur nëse do të rreshtohej me partnerët amerikanë, që kërkonin largimin e Berishës, apo me ish kryeministrin, sponsorin dhe promovuesin e tij në politikë.

Berisha refuzoi largimin nga PD dhe nga politika pas shpalljes non-grata, duke deklaruar se do ta dyfishojë prezencën në Kuvend. Pak ditë më parë, gjatë një interviste televizive, Berisha u shpreh se do të vijojë të jetë deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe se nëse PD-ja do mbajë një qëndrim joparimor lidhur me akuzat ndaj tij, atëherë ai do bëjë çmos që ta kthejë atë në bazën e vlerave mbi të cilat është themeluar, deklaratë që u konsiderua si një paralajmërim ndaj Bashës.

“Raportet e mia me Bashën dhe me PD-në ndërtohen mbi bazën e qëndrimit ndaj disa parimeve të caktuara. Në respekt të atyre parimeve unë qëndroj plotësisht dhe nuk mundem nga asgjë, por nesër nëse PD do të merrte një qëndrim aparimor, Berisha do të bënte gjithçka që PD të rikthehet në ato vlera. Do të bëjë gjithçka në kuadrin kushtetues për rikthimin e PD në vlerat që ajo është themeluar. ” – tha Berisha.

Basha e përjashtoi, reagon urgjentisht Berisha: Duhet të jepte ai dorëheqjen, sapo asgjësoi PD-në si parti sovrane!