NË FOKUS, 16 Tetor 2021, 13:01

Erozioni detar po gllabëron bregdetin e Kune-Vainit

Erozioni detar po gllabëron bregdetin e Kune-Vainit

Ndërtimi i kaskadës së Drinit dhe devijimi i rrugës së sendimenteve që lumi sillte në rezervatin natyror të Kune- Vainit në Lezhë i ka lënë dorë të lirë detit për të rrëmbyer metër pas metri tokën në bregdet.

Ekspertët e mjedisit llogarisin se çdo vit, dallgët fitojnë 2.5 metra bregdet dhe prej vitit 1970 kur filloi ndërtimi i kaskadës së Drinit, janë humbur rreth 362 hektarë për shkak të erozionit nga deti.

“Po ta krahasojmë me vitin 1970 të paktën, deri tani janë tjetërsuar, janë kthyer në mjedis detar 362 hektarë (tokë). Pra është një gllabërim i jashtëzakonshëm i bregut, ndërkohë që janë asgjësu të gjitha dunat dhe është prish krejt profili natyror,” thotë eksperti i mjedisit, Jak Gjini.

Drejtues të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Lezhë, e cila menaxhon edhe zonën e Kune-Vainit thonë se ata nuk ka instrumente për të ndërhyrë edhe pse janë dëshmitarë të ndryshimeve të përvitshme në dëm të zonës së mbrojtur.

“Është e vërtetë që erozioni në Kune-Vain është mjaft agresiv dhe po shkatërron një perlë natyrore. Ne si institucion nuk kemi instrumente për të ndërhyrë,” tha Besiona Simoni, specialiste pranë AdZM-së Lezhë.
Erozioni detar në Kune ka zvogëluar ndjeshëm sipërfaqen e rërës, duke bërë që kjo zonë të braktiset dhe nga pushuesit gjatë sezonit të verës. Banorët janë të shqetësuar se mungesa e masave mund ta bëjë të gjithë zonën të pajetueshme, ndërsa frikësohen se deti mund të marrë edhe rrugën.

“Gjatë gjithë kohës këtu, deti po hyn fuqishëm dhe nuk do të jetë e largët dita kur të përmbytet rruga kryesore dhe e gjithë zona. Është zvogëluar e gjithë sipërfaqja e rërës siç edhe e shikoni. Kjo ka qenë një perlë natyrore dhe është shumë e dhimbshme se si po degradon e shteti nuk merr asnjë masë,” thotë Prek Nika, banor i Kunes.

Ndërkohë, bregu i detit në dimër zhduket plotësisht në Kune të Shëngjinit. Pisha të tjera qindra vjeçare janë rrëzuar pas reshjeve të fundit të shiut.

Shqipëria ka 427 kilometra bregdet dhe 253 kilometra përbëhen nga plazhe me rërë të sedentuar, të cilat kërcënohen nga erozioni që vjen si pasojë e ndërtimit të digave në lumenj dhe ulja e prurjeve si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike.

Sipas një raporti të Programit të Zhvillimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, humbja e tokës për shkak të erozionit është 2-3 herë më e lartë në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Mesdheut dhe 10 deri në 100 herë më e madhe se sa në shumë vende të tjera Europiane.

Tonin Prenga, i cili ka shtëpinë dhe biznesin ngjitur me rrugën kryesore, thotë se ndryshimi vit pas viti është i madh. Sipas tij, disa bunkerë që kanë qenë të fshehur në pyll, bashkë me atë pjesë të pyllit janë tani 20-30 metra në det.

“Është diçka e paimagjinueshme se çfarë ka ba erozioni në këtë vend, ku është bregu i detit sot? Dikujt nuk i besohet, por ka kenë një rezervuar për me pi bagëtia ujë, sot e ka marrë deti,” thotë ai.

Jak Gjini thotë se zona ka nevojë për ndërhyrje komplekse inxhinierike, por që më urgjente është ndërtimi i dallgëthyeseve. “Në kushtet e bregdetit Kune-Vain, duke parë shpejtësinë e përparimit, do të ishin të dobishme projektet inxhinierike që kanë të bëjnë me ndërtimin e dallgëthyeseve,” thotë ai, ndërsa shton se kërkohet po ashtu edhe mbushja e zonës me rërë në mënyrë që avancimi i detit të pengohet për disa vite.

Gjini thotë se kostoja e ndërhyrjes është e lartë, por ajo është bërë e pashmangshme nëse duhet të shpëtohet zona. “Deti po depërton me shpejtësi, duke rrezikuar dhe rrugën që është ndërtuar vitet e fundit,” thotë ai.

Kjo sipërmarrje është shumë e madhe për institucionet lokale. Specialistja e AdZM-së i tha BIRN se ajo vetëm mund të bashkohej me apelin që bënin banorët dhe specialistët. “Fenomeni eroziv gjatë viteve të fundit ka marrë vërtet përmasa të frikshme,” thotë Simoni.

Prek Nika, 73 vjeç, banor i Kunes, nuk ka shumë shpresa se do të ketë një ndërhyrje të shpejtë. Ai thotë se fenomeni duhej të ishte ndaluar kohë më parë, por se vullneti ka munguar. “Gurë kemi plot këtu në vendin tonë, por këtu mungon vullneti dhe dëshira,” përfundoi ai./Reporter.al