AKTUALITET, 27 Janar 2022, 22:29

Këshillimi Kombëtar, Rama: Nuk do të nxjerrim sytë për të vënë vetulla. Ja pse vendosëm ta bëjmë anonime

Këshillimi Kombëtar, Rama: Nuk do të nxjerrim sytë për

Kryeminitri Edi Rama ka folur në emisionin “Open” për një nga nismat e ndërmarra nga qeveria. Më konkretisht për “Këshillimin kombëtar” që është një pyetësor me 12 pyetje që i shkon çdo familje në shtëpi për tu plotësuar, ndërsa të rinjtë mund ta plotësojnë online.

Rama ka folur për këtë nismë duke thënë se është viti i parë që e aplikojnë dhe presin ta përmirësojnë çdo vit, ndërsa sqaroi se arsyeja përse vendosën ta bëjnë anonime është për shkak të skandaleve që kanë qarkulluar së fundmi për të dhënat e qytetarëve.

Edi Rama: Për këtë vit, ky është këshillimi i parë dhe natyrisht ne ka shumë gjëra që do të duhet ti kuptojmë e mësojmë nga kjo eksperiencë dhe do ta përmirësojmë vit pas viti.

E kemi bërë totalisht anonime, pra asnjë lloj identifikimi të qytetarëve që do shprehen sepse sic është së fundmi në modë kjo teoria e konspiracionit të të dhënave personale, menduam se bëmë mirë që të mos e fusim këtë komponent.

Zarfat që vazhdojnë të shkojnë në shtëpi janë pa emër. Zarfat të plotësohen nga të moshuarit ndërsa të rinjtë mund ta bëjnë online.

Ndër të tjera, i pyetur përse kaq shumë kohësh në pushtet kanë vendosur të pyesin popullin për çështje delikate, Rama tha “nuk do të nxjerrim sytë për të vënë vetulla” duke iu referuar faktit që nëse njerëzit janë kundër një çështje, nuk do t’i mëshojnë.

Edi Rama: Qeverisja është proces që nuk përfundon kurrë. Unë mendoj që është lajm i mirë që pavarësisht faktit që kemi hyrë në mandatin e tretë si askush më parë, jemi në kërkim të përmirësimit, në kërkim të forcimit të ujërave mes qeverisë dhe qytetarëve. 

Kjo do të thotë që unë asnjëherë nuk e kam dashur rutinën, gjithmonë kam pasur fobi ndaj rutinës, ndaj mosndryshimit. Sa i përket pjesës tjetër, këto janë vendimmarrje tonat, që do të thotë, nuk na mungojnë kartonat për ti marrë këto vendime, nuk na duhet një justifikim sepse nuk do të nxjerrim sytë për të vënë vetulla sepse të konstatosh që shumica e qytetarëve për një çështje është kundër dhe të shkosh pas saj kur ka një dilemë, është budallik. 

Kjo e forcon më tepër bindjen mbi opinione të ndryshme sepse të gjitha çështjet janë dilema vendimmarrje, nuk janë çështje ku ne duam të gjejmë justifikim apo të përdorim qytetarët.

Duke parë dhe reagimet e komentet dhe duke bërë anketimet për të kuptuar sa i intereson njerëzve një gjë e tillë dhe duke parë numrin e njerëzve që kanë plotësuar pyetësorin në kaq pak ditë pa bërë ndonjë fushatë, qytetarët e pëlqejnë. Kam vënë re në komente që qytetarët që kanë plotësuar pyetësorin, duan të bëjnë sugjerimet e tyre.