AKTUALITET, 2 Prill 2024, 20:07

INSTAT: Si ka ndryshuar PBB në tetor-dhjetor 2023, sektori që pësoi më shumë rritje

INSTAT: Si ka ndryshuar PBB në tetor-dhjetor 2023, sektori që

Produkti i Brendshëm Bruto në 3 muajt e fundit të 2023 rezultoi me rritje prej 3.80%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave. INSTAT nënvizon se sa i përket ndryshimeve në krahasim me 3 mujorin e tretë të 2023, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht vlerësohet me rritje prej 0.79% në 3 muajt e fundit të 2023.

Degët kryesore të ekonomisë për 3 mujorin e katërt të vitit të kaluar, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022, që rezultuan me rritje ishin Aktiviteti i Ndërtimit, me 10.80%, Grupi Informacioni dhe Komunikacioni, me 8.81%, rritje me 10.33% shënoi edhe grupi i Pasurive të Paluajtshme. Ndërsa rritje të konsiderueshme në ekonomi, sipas INSTAT, shënoi edhe grupi i Argëtimit, apo aktiviteteve të tjera të shërbimit, përkatësisht me 21.42%.

Në raportin e fundit të INSTAT, për periudhën tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, sipas metodës së shpenzimeve, rezulton se Konsumi Final i Popullatës u rrit me 1.55%, ndërsa Konsumi Final i Qeverise u shfaq me një rritje prej 16.7%. Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, rezulton se eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 15.11% në 3 mujorin e fundit të 2023, ndërsa e kundërta ndodhi me importin e tyre duke shënuar ulje me 0.88%.