AKTUALITET, 2 Prill 2024, 17:21

Aksidenti tragjik! Trupat e emigrantëve ende të paidentifikuar, dërgohen drejt morgut të Lushnjës

Aksidenti tragjik! Trupat e emigrantëve ende të paidentifikuar,

Trupat e viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi këtë mëngjes në Këlcyrë, u dërguan në morgun e spitalit të Lushnjës. Sipas informacioneve, trupat e emigrantëve të paligjshëm, që u dërguan në morgun e Lushnjës për shkak të kushteve frigoriferike, do të qëndrojnë aty deri në identifikimin e tyre. Në morg, ndodhen ekspertët mjeko-ligjorë.

Aksidenti i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit rreth 1 km larg Këlcyrës, pranë fshatit Kuqar. Mjeti që drejtohej me shpejtësi mbi 200 km në orë nga një shtetas shqiptar nga Shkodra, i identifikuar si Edison Bregaj, transportonte 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta. Automjeti tip veturë me plot 8 persona në bord  ka kryer sipas ekspertizës një fluturim të gjatë ajror pasi ka dalë nga rruga. Më tej ka goditur shpatin e pjerrët në drejtim të lumit Vjosa dhe  për shkak të shpejtësisë ende të lartë ka vijuar rrotullimet  disa herë duke shkëputur pjesë të tij gjatë lëvizjes e duke nxjerrë edhe trupat e viktimave njëri pas tjetrit. Të tetë personat kanë humbur jetën menjëherë në vendngjarje dhe trupat e tyre ishin shpërndarë në një gjatësi prej 50 metrash.

Drejtuesi i mjetit në përpjekje për të humbur gjurmët prej policisë që e kishte pikasur rreth orës 2 të mëngjesit në qendër të Këlcyrës është kthyer pas dhe në harkun e pak minutave shkaktoi edhe aksidentin. Vendi ku automjeti ka dalë nga rruga nuk ka barrierë anësore pasi krah tij  është një shteg këmbësor që përdoret nga banorët e barinjtë për të zbritur në lumë. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të personit që mendohet se po trafikonte emigrantët por vetëm rreth orës 4 të mëngjesit arritën të zbulojnë aksidentin dhe ngjarjen e rëndë.