AKTUALITET, 2 Prill 2024, 18:46

Shtohen të sëmurët kronikë/ Raporti: Identifikohen 74,331 raste në 8 muaj

Shtohen të sëmurët kronikë/ Raporti: Identifikohen 74,331

Stili i jetesës, por edhe plakja e popullsisë po çojnë në shtim të numrit të personave që vuajnë nga sëmundje kronike. Raporti i monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë fakton se rritja natyrale e sëmundjeve kronike për 8-mujorin 2023 është 5.9% në krahasim me vitin 2022.

Kontingjenti i ri i të sëmurëve kërkon trajtimin të vazhdueshëm me mjekim falas, por fondet e rimbursimit nuk janë të mjaftueshme. Numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2022 është 1,83 diagnoza, ndërsa numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2023 është 1,96 diagnoza. Rritja e numrit të diagnozave për të cilin rimbursohet një pacient është 6.9% më e lartë më 2023” analizoi Ministria e Shëndetësisë.

Rritja e sëmundjeve kronike që përfshijnë rastet e reja dhe rastet me ndryshim të skemave të mjekimit ndikon në ecurinë e shpenzimeve të rimbursimit. Në 8-mujorin 2023 janë evidentuar 74,331 raste të reja të sëmurë kronikë. të cilët kërkojnë së paku një vlerë shtesë në fondin e rimbursimit me vlerë 270,020,711 lekë, ose 3.3% më shumë. Të dhëna të krahasueshme tregojnë se barra e sëmundjeve në popullatë është rritur me shpejtësi vitet e fundit, ndërsa fondet publike që rimbursojnë mjekimin e të sëmurëve nuk kanë ndjekur të njëjtin trend.