AKTUALITET, 14 Dhjetor 2021, 18:45

Inceneratorët/ Likmeta: Operacioni gjysmak, Prokuroria dështoi të bllokojë largimin e parave jashtë vendit

Inceneratorët/ Likmeta: Operacioni gjysmak, Prokuroria dështoi të

Gazetari i BIRN, Besar Likmeta, e quan gjysmak operacionin e SPAK tek inceneratorët. 

Sipas tij, mosarrestimi i të gjithë të dyshuarve për aferën tregon se operacioni është dekonspiruar. 

Gjithashtu, Likmeta shton se Prokuroria dështoi të frenojë largimin e milionave jashtë vendit.  

"Hetimi nuk është shtrirë te dy inceneratorët e tjerë. Edhe po të shohim sekuestrimet që ka bërë SPAK sot ato janë gjysmake. Sepse jo të gjitha kompanitë e Stela Gugallja ose kompanitë e Klodian Zotos janë sekuestruar.

Nuk është sekuestruar inceneratori i Fierit i cili është 70% nga kompania Integrated Technology Services dhe gjithashtu nuk është sekuestruar inceneratori i Tiranës, që të paktën në momentin fillestar kur është bërë dhënia e koncesionit ishte në pronësi të Integrated Technology Services dhe për një kohë të gjatë administrator ka qenë Klodian Zoto.

Nuk kemi shtrirjen e veprimit të sekuestros preventive që do të bënte të mundur shmangien e largimit të shumave të mëdha të parave jashtë vendit nga Prokuroria.

Në këtë rast nëse duhet të përgëzojmë duhet ta bëjmë ndaj mediave dhe aktivistëve politikë që kanë bërë kallëzime në Prokurori. Ndërsa Prokurorisë i duhet shumë punë që të rifitojë besimin e publikut", u shpreh Besar Likmeta.