AKTUALITET, 14 Dhjetor 2021, 17:22

"Sillet si guvernatore"/ DASH u përgjigjet akuzave të Berishës ndaj Yuri Kim: Sulme të shëmtuara!

"Sillet si guvernatore"/ DASH u përgjigjet akuzave të

Ish kryeministri Sali Berisha, gjatë Kuvendit të Partisë Demokratike, duke folur para mijëra delegatëve dhe mbështetësve të tij, deklaroi se ambasadorja Yuri Kim, sillet si guvernatore. 

Departamenti i Shtetit hodhi sot poshtë akuzat e bëra ndaj Yuri Kim. 

Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës lidhur me akuzat e bëra nga ish kryeminstri Sali Berisha ndaj Ambasadores Yuri Kim se ajo po sillet si guvernatore në Shqipëri dhe se mbështet kryeministrin Edi Rama, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se, “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, thekson zëdhënësi Price, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.

Shtetet e Bashkuara, thekson më tej zëdhënësi, vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet tona, përfundon zëdhënësi, i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë.