AKTUALITET, 14 Dhjetor 2021, 14:08

Arrestimi i Kokës/ Basha: Nuk mjafton, kapni Edi Ramën!

Arrestimi i Kokës/ Basha: Nuk mjafton, kapni Edi Ramën!

Lulzim Basha, reagon për arrestimin nga SPAK të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, teksa shprehet se një gjë e tillë provoi se akuzat e PD ndaj inceneratorëve kanë qenë të vërteta.

“Sot është dita të kujtojmë se ishte PD, që në shkurt të 2018 nisi procesin e denoncimeve për inceneratorët, për 400 milionë euro që u janë zhvatur qytetarëve shqiptarë.

Sot, arrestimi i ministrit të Ramës provon se akuzat tona kanë qenë të drejta, se denoncimet tona kanë qenë të bazuara. Nuk ka qytetar shqiptar ta besojë se ky është peshku i madh.

E dinë të gjithë se 17 vendime qeverie brenda dite nuk i nxirrte dot një ministër, kushdo qoftë. Emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere me 400 milionë euro janë ato të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtiri, Arben Ahmetaj e surrogateve të tjerë.

Sado që nuk ka veprim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë të tmerrshme korruptive, që ka varfëruar edhe më shumë xhepat e shqiptarëve. Nuk mund të themi që sot është një ditë triumfi për drejtësinë, është ndoshta fillimi i një procesi, por që nuk mund të përfundojë pa dhënë përgjigje se çfarë bëhet me kokat e kësaj afere, me kreun e qeverisë.

Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës që u arrestua sot? Kjo dëshmon edhe njëherë se PD po e bën këtë betejë për interesat e shqiptarëve, por tregon edhe se fajtorët janë vetëzbuluar para opinionit publik.

Ky është momenti për t’i thënë cdo shqiptari se komisioni hetimor për inceneratorët duhet ngritur dhe beteja do të vazhdojë. I kërkoj drejtësisë sot pa hezitim të vërë para përgjegjësisë të gjithë, duke filluar nga koka”, u shpreh Basha.