AKTUALITET, 12 Qershor 2023, 21:13

"Erdhi në një moment dramatik të jetës politike italiane!"/ Genc Pollo "rrëfen" takimin me Berlusconin: Ringjalli qendrën e djathtë!

"Erdhi në një moment dramatik të jetës politike

Genc Pollo ka folur për karrierën politike të Silvio Berlusconit, biznesmeni kontrovest i kthyer në politikan, që ndërroi jetë ditën e sotme në moshën 86 vjeçare në Itali. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Pollo rrëfeu takimin me Berlusconin, për të cilin tha se ishte një politikan atipik, por i mençur, që luajti një rol kyç në "ringjalljen" e të djathtës së qendrës në Itali. 

"Berlusconi, siç e kam njohur dhe siç e mbaj mend, ishte dikush që nuk u bë politikan i rëndësishëm me një karrierë konvencionale. Ai u bë vetë i pasur dhe influent. Këto formime të tij në jetë, përcaktuan edhe mënyrën e sjelljes në publik. Edhe sjelljet e tij, mënyra e të vepruarit ishin ndryshe nga klasa politike italiane. Ai erdhi në një moment dramatik të jetës politike italiane.

Berlusconi arriti të formojë një forcë politike që krijoi balancë të madhe mes të majtës dhe të djathtës në Itali.

Formimi i qeverive stabile është një arritje e tij. Berlusconi arriti të drejtojë qeveri stabile dhe afatgjata.

Berlusconi arriti të kalonte përtej mbijetesës së qeverisë. Arriti të iniciojë disa reforma me idetë e tij, por nuk arriti dot ti përfundonte të gjitha. Shumë njerëz e kujtojnë me atipizmin e tij.

Duhet të dallojmë, i vetmi dënim që të bën përshtypje është evazioni fiskal. Por me një miliarder me dhjetëra kompani mund të imagjinohet. Dënimet e tjetra kanë të bëjnë me jetën private. Asnjë skandal i Berlusconit nuk ngjan me skandalet në vendin tonë apo në Ballkan.

Berlusconi është një rast i veçantë, që theu konvencionet dhe normal që është një përjashtim. Në qarqet evropiane të qendrës së djathtë jo të gjithë e vlerësonin, që ishte edhe pronar mediash. Por Berlusconi ringjalli qendrën e djathtë.

 E kam takuar vetë një herë dhe kam krijuar përshtypjen e një njeriu të mencur dhe të dashur. Vinte nga showbizz, spektakli, të kombinuara këto gjëra i mbarti edhe në jetën politike.

Ai ishte luajal ndaj lidhjeve personale. Me Putin kishte një raport personal dhe fatkeqësisht e ruajti këtë edhe kur Putini kaloi çdo masë me sulmin ndaj Ukrainës vitin e shkuar", tha Pollo.