AKTUALITET, 12 Qershor 2023, 16:18

Ligji për largimin e mësuesve me të shkuar kriminale, Majko e Bylykbashi një qëndrim: Nuk garantohen të drejtat e njeriut

Ligji për largimin e mësuesve me të shkuar kriminale, Majko e

Ndryshimet e propozuara nga qeveria për ligjin e arsimit për sistemin parauniversitar synojnë që të largojnë nga shkollat mësuesit e dënuar për krimet seksuale, si dhe për vepra të tjera penale që cenojnë figurën e punonjësit të arsimit. Pikërisht për këtë pikë të projektligjit që u diskutua sot në Komisionin e Ligjeve, kishte kundërshti nga deputetët. Për socialistin Pandeli Majko dhe demokratin Oerd Bylykbashi nuk është e qartë në ligj se cilat janë këto vepra penale që mund të pengojnë ushtrimin e detyrës dhe për shkak të kësaj, sipas tyre, nuk ka asnjë garanci që mund të mbrojë të drejtat e njeriut.

Një tjetër pikë e këtij propozimi është shqetësuese për Bylykbashin me argumentin se qeveria kërkon t’i heqë të drejtën e prezumimit të pafajësisë një mësuesi. Pretendimet e opozitës që mësuesit vlerësohen me sistemin e pikëzimit nga platforma e aktivistit u kundërshtua nga zv/ministrja e Arsimit.

Deputetët e mazhorancës dolën edhe kundër nisjes së klasës së parë për fëmijët që bëjnë 6 vjeç brenda vitit kalendarik, por sipas përfaqësueses së qeverisë kjo nuk është e detyrueshëm por lihet në dëshirën e prindërve. Me shpresën që kundërshtitë e komisioni të ligjeve do të merren parasysh nga grupi i punës, deputetët e mazhorancës dhanë votën pro projektligjit të qeverisë, ndërsa opozita votoi kundër.