AKTUALITET, 19 Janar 2023, 21:36

Enton Abilekaj: Kryeministri u ka dhënë imunitet të fortëve dhe njerëzve afër tij, me ta merr votat 

Enton Abilekaj: Kryeministri u ka dhënë imunitet të fortëve
Fotomontazh: Deputeti Rraja dhe analisti Abilekaj

Analisti Enton Abilekaj, duke komentuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” kontrollin e RENEA-s në shtëpinë e deputetit të PS-së në Kurbin, Rrahman Rraja, tha se Edi Rama e ka fituar betejën me rivalët politikë për afrimin e njerëzve me influencë dhe me ta ai merr me hir apo me pahir votat për zgjedhjet. Për Abilekajn, policia është e pafuqishme që të arrestojë të fortët afër njerëzve që kanë marrë imunitet nga kryeministri, sepse ata i mbron kreu i qeverisë.

“Në zgjedhjet e vitit 2001 në Durrës u bë një masakër elektorale. Ishin 11 zona elektorale dhe nga 11 deputetë që nxirrte Durrësi, 10 i fitoi PS-ja për herë të parë, kur në vitin 1992 kishte votuar gati 100 për qind PD-në. Vetëm në Fushë-Krujë fitoi Ndriçim Babasi i PD-së. Berisha, kur shkoi në Bruksel për të denoncuar vjedhjen e votave, tha se 'Kisha 10 intelektualë dhe 1 polic në qarkun e Durrësit, ata humbën, polici fitoi. Po nuk ndërhytë, unë do të kandidoj 100 policë që të fitojmë".

Afrimi këtyre njerëzve me influencë ka qenë gjithmonë një garë mes partive. Ai që e fitoi garën është Edi Rama sepse ai bëri atë që s’e bëri askush, u bëri një ofertë të parezistueshme që të braktisnin llogoret e vjetra dhe pasoja sot është që ne jemi në një ditë që një e treta e vendit është e përmbytur. Këtyre njerëzve që i përmbytin për çdo vit, çfarë do t’u thonë? Këtyre njerëzve që luftojnë me papërgjegjshmërinë e qeverisjes së tyre, çfarë do t’u thonë më 14, që ju përmbytëm ne, por s’kemi çfarë t’u bëjmë? Asgjë. Do t’u çojë të fortin për tua marrë votën, me hir apo me pahir. Do t’i thotë: ose do të votosh se do të marrësh para, ose nuk do të dalësh nga shtëpia se ke punë me mua. Dhe ky i forti tani ka imunitetin dhe këtë imunitet e kanë edhe njerëzit afër tij dhe përfitojnë nga ky imunitet që ua ka dhënë kryeministri. Kush është ai polic që do të arrestojë njeriun që i ka dhënë kryeministri imunitetin? Këta njerëz nuk i mbron policia, i mbron kryeministri”-u shpreh Abilekaj.