AKTUALITET, 26 Maj 2023, 08:59

“Eksodi po transformon jetën e grave e nënave, ndërsa burrat ikin jashtë”- “Financial Times” për Shqipërinë: Vendi, me pagat më të ulëta e kostot më të larta

“Eksodi po transformon jetën e grave e nënave, ndërsa

Në kohën kur po përballen me paga të ulëta dhe me kostot më të larta të jetesës në Ballkan, gratë dhe nënat shqiptare kujdesen për veten e tyre.

Rreth një sobe me dru në një dyqan në Bajram Curri, disa gra bisedojnë dhe i tregojnë njëra-tjetrës fotografi të djemve dhe burrave të tyre, të gjithë në Londër. Nga 12.310 emigrantë shqiptarë që shkuan në Britaninë e Madhe vitin e kaluar me varka, shumica dërrmuese ishin burra nga kjo zonë rurale. Ata u larguan pasi nuk kishin punë, por dhe nga mërzia e madhe pasi mungon shpresa. Eksodi po transformon jetën e grave dhe nënave që ata lanë pas.

Në këtë dyqan në Bajram Curri gratë dhe vajzat mblidhen për të endur rroba apo stoli, për të gatuar apo për të vizatuar harta hiking për t’ua shitur vendasve dhe turistëve. Me zjarrin në sofër ndezur, ato kanë krijuar atë që u mungon njerëzve të tyre: Një jetë sociale, të ardhura dhe shpresë.

Pavarësisht bumit më të fundit që vjen nga turizmi, mungesa kronike e vendeve të punës në Shqipëri po i largon njerëzit.

Kushtet ekonomike nuk janë aq të dëshpëruara siç ishin në komunizëm, por tranzicioni drejt një ekonomie tregu të begatë po rezulton i gjatë dhe i vështirë.

Vendi ka disa nga pagat më të ulëta dhe kostot më të larta të jetesës në rajonin e Ballkanit. Një pagë minimale e propozuar do të jetë e pamjaftueshme për të përballuar inflacionin në rritje: në vitet 2021-2022, shqiptarët shpenzuan deri në 60 për qind të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime. Të joshur nga thashethemet për një mënyrë jetese më të lehtë, fermerët zhvendosën familjet e tyre në qendra të vogla urbane si në qytetin e Bajram Currit. Gjatë periudhës së komunizmit gratë dhe vajzat ishin aktive në tregun e punës, por në vitet 1990 normat patriarkale u rishfaqën, duke i bërë gratë të kthehen brenda mureve të shtëpive, veçanërisht në zonat rurale të Shqipërisë. Sot meshkujt largohen në heshtje, shumë prej tyre shkojnë drejt qytetit vetëm më një bluzë në trup e një qese plastike në dorë e nuk kthehen më në shtëpi.

“Shpesh djemtë dhe burrat nuk kthehen për vite të tëra, pasi u kanë borxhe trafikantëve të qenieve njerëzore dhe se aty nuk kanë fuqi për të bërë punë të rënda fizike. Gratë që mbetën duhet të jetojnë”, thotë një amerikane, Catherine Bohne, që prej 15 vitesh ka një dyqan në Bajram Curri.

Ikja e burrave ka sjellë një frymë lirie. Një vajzë, Gerta, po mëson të drejtojë dhe menaxhojë një faqe interneti dhe mendon të shkojë në universitet vitin e ardhshëm. Një tjetër grua, Lida, pronare e dyqanit u mbyll në shtëpi pasi i shoqi emigroi në Belgjikë për të punuar. E mbetur vetëm me katër fëmijë për të rritur ajo nisi të sajojë bizhuteri, fitoi besim e siguri dhe nuk i shkruan më burrit të saj për t’i marrë leje që të dalë jashtë mureve të shtëpisë.

Në projekt i dyqanit është fuqizimi i grave që fitojnë jetesën duke rritur apo duke mbledhur boronica të egra, manaferra apo gështenja. Më parë këto gra fitonin vetëm 10 euro në ditë në një pikë grumbullimi. Zonjat e dyqanit u thanë që në vend të kësaj, i inkurajuan të bënin reçel, të cilin mund ta shesin për 5 euro një kavanoz.

Por pas çdo historie suksesi ka ende gra të uritura, që bien në rrjetën e skllavërisë moderne ose që u duhet të paguajnë borxhet për një burrë që i hipi gomones për në Londër. Megjithatë ka edhe disa gjëra pozitive. Nënat që presin djemtë e tyre në emigrim, tani janë të përqendruara tek studimet e vajzave të tyre.

Në vitin 2021, 71% e të regjistruarve në universitete ishin vajza, nga 58% më shumë krahasuar me një dekadë më parë. Ndërkohë fuqia punëtore e meshkujve ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 30 viteve të fundit.

Dy orë larg Bajram Currit, në fshatin Shtiqën, jeton Nazja, është 89 vjeç. Ajo banon me vajzën dhe tri mbesat. Duke qenë se djemtë dhe nipërit e saj janë të gjithë në Londër, e moshuara i përqendron energjitë e saj tek vajzat e saj, dhe “jo vetëm që t’u gjejë ndonjë një burrë të pasur”, thotë Nazja me krenari.

Mbesa nëntëvjeçare e Nazes është shumë mirë me mësime dhe flet anglisht. “Një ditë, ajo do të jetë presidente e Shqipërisë”, thotë 89-vjeçarja me krenari.