TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Depozitat e biznesit kanë arritur një rekord historik në muajin gusht të këtij viti dhe kanë kaluar për herë të parë vlerën e 300 miliardë lekëve.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e depozitave bankare të sipërmarrjeve arriti në 302.3 miliardë lekë, në rritje me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja rekord e depozitave bankare gjatë muajve të verës përkon me sezonin turistik dhe mund të jetë një indikator tjetër i tërthortë i ecurisë pozitive të këtij sezoni.
Të dhënat e Instat treguan se deri në fund të 8-mujorit Shqipërinë e vizituan pothuajse 5.7 milionë shtetas të huaj, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të vitit të ardhurat nga turizmi hyrës prekën gjithashtu vlerën rekord të 1.3 miliardë eurove.
Një ndikim në rritjen e vlerës së depozitave mund të ketë pasur edhe rritja e çmimeve. Të dhënat e Instat treguan se në muajin shtator inflacioni arriti në 8.1%, niveli më i lartë që prej vitit 1998. Rritja e çmimeve mund të ketë ndikuar gjithashtu në shtimin e gjendjes së llogarive bankare të bizneseve.
Depozitat e biznesit përbëjnë tashmë rreth 20.2% të totalit të depozitave bankare në Shqipëri. Edhe pesha e tyre specifike është rritur krahasuar me një vit më parë, kur ato përbënin rreth 18.7% të totalit.
Ritmet e rritjes vjetore të depozitave së bizneseve ngelen ende mjaft të larta, më shumë se dy herë më e lartë krahasuar me rritjen e depozitave të individëve. Në fund të muajit gusht, rritja vjetore e depozitave totale të individëve ishte 7.3%, rritje e mbështetur kryesisht nga depozitat në valutë të huaj. Statistikat e depozitave, sidomos të atyre në lekë, tregojnë se rritja e çmimeve ka nisur të japë një ndikim negativ në aftësinë e familjeve për të kursyer.
Në periudhën pas pandemisë, depozitat shënuan rritje mjaft të lartë, si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve. Tendenca e përgjithshme për të kursyer pas krizës, veç konsumatorëve, preku edhe bizneset. Pasiguria për të ardhmen, e lidhur me ciklin e pandemisë së Covid-19, ka krijuar një tendencë për ulje të shpenzimeve dhe ruajtje të burimeve financiare deri në daljen nga kriza. Por, ndërsa këtë vit rritja e depozitave të individëve paraqitet më e ngadalësuar, depozitat e biznesit kanë arritur vlera rekord.
Një faktor tjetër me ndikim të konsiderueshëm mund të jetë edhe vijimi i mbështetjes me kredi nga sektori bankar. Pas mesit të vitit 2020, kreditimi i ekonomisë, përfshi biznesin, i është kthyer ritmeve normale, madje më të larta krahasuar me një vit më parë. Bankat kanë vazhduar të mbështesin bizneset me linja financimi, duke lënë në dispozicion likuiditete shtesë në llogaritë e bizneseve. Rritja e kredisë për bizneset po vazhdon me ritme të shpejta edhe këtë vit, madje duke shënuar nivelet më të larta prej të paktën shtatë vitesh. /Monitor