AKTUALITET, 19 Nëntor 2025, 13:53

Debati/ “Je mësuar te Shtëpia e Fëmijës ti!”, reagon Shoqata e Jetimëve: Deputeti Mziu të kërkojë ndjesë publike

Debati/ “Je mësuar te Shtëpia e Fëmijës ti!”,

Debati i ashpër në një studio televizive mes zyrtarit socialist Alfred Muharremi dhe deputetit demokrat Xhelal Mziu, ka sjellë reagimin e Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë. Në një postim në rrjetet sociale,  Shoqata e Jetimëve shpreh shqetësimin për gjuhën fyese dhe denigruese të përdorur për jetimët.

“Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë ka ndjekur me shqetësim të madh gjuhën e përdorur nga një person i zgjedhur nga vota e Popullit Shqiptar (pjesë e së cilës janë edhe kategoria e Fëmijëve Jetimë të rritur në rezidenca sociale apo në familje) në një debat televiziv.

Është e palejueshme, aspak etike dhe e papajtueshme bullizimi, gjuha fyese dhe denigruese për Institucionin ku kanë jetuar Fëmijë Jetimë të braktisur apo që fati ka bërë të jenë pjesë e tyre”.

Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë kërkon që Xhelal Mziu të kërkojë ndjesë publike për gjuhën e përdorur ndaj jetimëve dhe i bën apel Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi t’i tërheqë vërjetje deputeti demokrat.

“Kërkojmë që ky Person të kërkojë një ndjesë publike për gjuhën e përdorur për Jetimët dhe jetën e tyre në rezidencat sociale si dhe ftojmë

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi të tregojë vëmendjen e duhur për tu tërhequr vërejtjen dhe mos lejimin e një gjuhe të tillë nga askush qofshin këta njerëz nën petkun e personave me imunitet”.