TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku Shkreli, ka denoncuar shoqërimin të dy aktivisteve gjatë protestës së zhvilluar këtë të enjte para Parlamentit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shkreli shkruan se policia ka shoqëruar në Komisariatin nr. 3, antropologen gjuhësore amerikane Carrie Ann Morgan dhe artisten Elsa Paja.
Ish-deputetja bën me dije gjithashtu se do të paraqitet pranë Komisariatit nr. 3, ku sipas saj po mbahen të shoqëruara kolegia dhe mikja e saj.
Postimi i plotë:
Carrie Ann Morgan, antropologe gjuhësore, kolegia ime, studiuese dhe shpirt i lirë, u arrestua sot gjatë protestës. Elsa Paja, artiste, ilustratore, mikja ime, një shpirt po aq i bukur sa vetë Vjosa-Narta që ajo mbron, u arrestua sot.
Mendoj se nga sot, slogani më i gjetur i kësaj proteste është: ‘Po ti, nga cila anë e gardhit je?’
Shihemi për pak në Komisariatin nr. 3, ku mbahen të arrestuara Carrie dhe Elsa!”
Reagimi i saj vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës para Parlamentit, ku pati përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë, si dhe shoqërime të disa protestuesve.