TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një grup prej 735 pedagogësh, akademikësh dhe figurash të njohura të jetës publike i kanë drejtuar një thirrje qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie kujdestare.
Përmes një deklarate të përbërë nga pesë pika, të iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, firmëtarët shprehin shqetësimin e tyre për dhunën e ushtruar ndaj studentëve gjatë protestave. Ata kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të dhunës, respektimin e lirive themelore dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për situatën e krijuar në vend.
Në deklaratën e tyre, pedagogët, akademikët dhe figurat publike u bëjnë thirrje Policisë së Shtetit dhe strukturave të rendit të ndalin përdorimin e dhunës ndaj studentëve dhe të mos zbatojnë urdhra të paligjshëm.
Një tjetër kërkesë u drejtohet protestuesve, të cilëve u bëhet thirrje të ruajnë bizneset, si dhe pronën publike e private. Sipas firmëtarëve, kjo do t’i hiqte regjimit çdo alibi apo pretekst për të ushtruar dhunë dhe për të delegjitimuar revoltën.
Në fund, thirrja u drejtohet qytetarëve të Tiranës, të cilëve u kërkohet të mbështesin të rinjtë dhe të bëhen mburojë ndaj dhunës shtetërore, njëlloj si në ditët historike të rënies së diktaturës.