AKTUALITET, 4 September 2026, 09:32

VIDEO/ Qeveria më jetëgjatë në Itali, Rama "sfidon" Melonin: Tashmë duhet të thyesh rekordin tim

Kryeministri Edi Rama ka uruar përmes një videoje, Kryeministren Giorgia Meloni, në një ditë historike për qeverinë italiane. Pas 1,413 ditësh në detyrë, qeveria e Melonit bëhet më jetëgjata në historinë e Republikës Italiane.

“Giorgia, lexoj që nga sot je shefja më jetëgjatë e qeverisë në historinë e republikës italiane. Por vërtet, isha mësuar keq që vetëm unë po dilja jetëgjatë”, thotë Rama.

Më tej, kryeministri flet për trazirat që emri i Melonit shkaktoi në fillim të marrjes së detyrës, por tani, për shkak të saj, në Itali ka “inflacion demokracie.” Megjithatë, kryeministres italiane i mbetet një tjetër rekord ende pa kapërcyer.

“Tani ke vetëm një rekord për të thyer, atë timin”, përfundon Rama me humor.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në platformën “X” Rama e ka “sfiduar” homologen italiane që tashmë të thyejë rekordin e tij në qeverisje.

“Që kur je ti në qeveri ka një ‘deficit’ demokracie të madh në Itali. Ke larguar burrat nga pushteti që tashmë është kthyer në një çështje mes grave, eksluzivisht mes grave. Çfarë të them e dashur Giorgia, tashmë ka një tjetër rekord për të thyer, rekordi im”, shprehet Rama.

"Giorgia, lexoj se që nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Por vërtet? Unë isha mësuar me Marion të ndryshonte bashkëbiseduesit në Romë pothuajse me të njëjtin ritëm si ndryshimet e trajnerëve te Milani.

E megjithatë, shiko çfarë demokracie e çuditshme italiane: nuk duket aspak si një rrezik, pavarësisht gjithçkaje që, sidomos ne në të majtë, kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi, me pantallona të zeza. Mbaj mend që edhe Ursula, në atë kohë, ishte shqetësuar pak.

Sot, përkundrazi, edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse, në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç kishim frikë, ti e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptonte më mirë disa gjëra: ruajtjen e sigurisë, luftën kundër emigracionit të paligjshëm, sigurisht.

Por gjithsesi, duhet thënë e gjithë e vërteta: në krye je ti. Ka një deficit të madh demokratik në Itali. I ke nxjerrë jashtë burrat nga lufta për pushtet, e cila tashmë është kthyer në një çështje mes grave, ekskluzivisht mes grave.

Çfarë të të them e dashur, Giorgia? Tani ka edhe një rekord tjetër për t’u thyer: rekordi im. Dhe mos të më thonë se Italia nuk është në Ballkan, sepse ne jemi gjithmonë pas Gjermanisë, ku një tjetër zonjë e shquar ka qeverisur edhe më gjatë se unë.

Mirë pra. Rroftë Italia, rrofshin gratë, italiane dhe shqiptare”, tha kryeministri Rama.