AKTUALITET, 3 September 2026, 16:39

“Në vend që të luftojë krimin, merret me Instagramin e protestuesve”, Salianji: Qeveria ka humbur kontrollin e territorit, Rama të japë dorëheqjen

Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar ashpër ndaj situatës së sigurisë në vend dhe sulmeve të fundit digjitale ndaj llogarive të protestuesve në rrjetet sociale. Përmes një deklarate, Salianji denoncon se qeveria ka dorëzuar kontrollin e territorit te krimi i organizuar, ndërsa vëmendjen kryesore e ka përqendruar te censurimi i zërave opozitarë.

Sipas tij, Shqipëria sot ngjan me një vend pa zot e pa autoritet shtetëror, ku nga jugu në veri konfliktet po zgjidhen me “ligjin e më të fortit” dhe me përdorimin e armëve të zjarrit.

Salianji nënvizon se ekzekutivi i ka shfrytëzuar grupet kriminale për mekaizmat elektorale duke i majmur me pushtet e privilegje, por tashmë situata ka dalë nga kontrolli dhe bandat po sfidojnë vetë institucionet e shtetit.

 

“E ndërsa Shqipëria përballet me pasiguri, armë dhe dhunë, qeveria ka një prioritet tjetër: të mbyllë Instagramin e protestuesve dhe të luftojë zërat kundër saj. Kjo qeveri nuk e kontrollon territorin, nuk garanton sigurinë dhe nuk lufton krimin, por merret me kundërshtarët politikë”, deklaron ish-deputeti.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Salianji thekson se agonia qeverisëse është bërë më se e qartë dhe se kryeministri ka humbur çdo autoritet moral e institucional për të drejtuar vendin, duke i drejtuar thirrjen e prerë: “Rama, jep dorëheqjen!”.