AKTUALITET, 4 Dhjetor 2018, 14:50

Vasili: Buxheti legjitimoi grabitjen shtetërore me PPP

Vasili: Buxheti legjitimoi grabitjen shtetërore me PPP
Kryetar i grupit parlamentar i LSI, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat ditën e sotme, është shprehur se miratimi i buxhetit që u bë dje në Kuvend ka legjitimuar një grabitje shtetërore të padëgjuar dhe të dimensioneve vërtetë shumë të rrezikshme dhe tronditëse për ekonominë. LSI do të vazhdojë t’iu bëjë të qartë të gjithë shqiptarëve që koncesionet janë një shkatërrim i vërtetë për ekonominë. Shkatërrim i vërtetë për të gjithë bizneset, ku bëjnë pjesë edhe bizneset mediatike. "Dje Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar, sigurisht një buxhet turpi, një buxhet i cili ka legjitimuar një grabitje shtetërore të padëgjuar dhe të dimensioneve vërtetë shumë të rrezikshme dhe tronditëse për ekonominë. Ku kryefjala e këtij buxheti, për fat të këq është një lajm shumë i zi, për shqiptarët dhe lidhet pikërisht me koncesionet apo PPP të famshëm tashmë. I cili është një nga format më të rrezikshme të grabitjes shtetërore pasi shifrat janë të tilla Siç ndodh në këto koncesione, duke i bërë shqiptarët jo vetëm më të varfër, por duke e futur varfërinë e tyre në dhe premisa për atë emigracion, i cili është bërë një fenomen shkatërrimtar dhe i cili po shkreton Shqipërinë edhe nga pikëpamja demografike. Pasi në një ekonomi dhe në një varfëri të tillë që shkon në kufijtë e mjerimit, sigurisht pamundësia për të jetuar detyron qytetarin e thjeshtë të ndërmarrë të gjitha mjetet e mundshme, ku kryesorja është emigracioni.

Pra bëhet fjalë për një buxhet shteti i cili nuk ka fare të bëjë më përmirësimin e jetës së qytetarëve. Nuk është sot asgjëkund, është buxheti më antisocial, më korruptiv dhe më grabitqar. Pasi 100 e ca milionë euro në këtë vit do t’i paguhen në dorë të thata koncensionarëve, duke filluar nga ata të shëndetësisë që është një histori turpi fillim e mbarim. Duke vazhduar pastaj tek koncesionet e tmerrshme të rrugëve, ku çmimet e tyre janë jo vetëm të frikshme, por do të thotë një vjedhje ditën për diell dhe për të cilat në vend që t’i shndërronin këto në investime konkrete, të prekshme e të qarta, në shkolla e spitale, në dhjetëra shërbime të tjera të cilat u mungojnë qytetarëve shqiptarë, kthehen vetëm në një dhuratë që shkon në xhepin e oligarkëve", tha Vasili.