AKTUALITET, 22 August 2026, 22:47

‘Territorialja’/ Banorët e Divjakës 23 ditë në protestë, kundërshtojnë bashkimin me Lushnjën: Të dëgjohet zëri i qytetarëve!

Prej 23 ditësh, qytetarët e Divjakës vijojnë protestën kundër projektit të Partisë Socialiste për reformën administrative-territoriale, duke kundërshtuar përfshirjen e bashkisë së tyre në një njësi të përbashkët me Lushnjën.

Edhe pse numri i protestuesve është në rënie, përfaqësuesit e qëndresës pretendojnë se kjo lidhet me presionet ndaj qytetarëve dhe administratës nga pushteti qendror, përmes kontrolleve tatimore dhe formave të tjera të presionit.

Në shesh, folësit u kanë bërë thirrje autoriteteve qendrore që Divjaka të përjashtohet nga projekti i reformës administrative-territoriale, të cilin protestuesit e kanë cilësuar si projekti “Mazniku”.

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu që përfaqësuesit e administratës së Bashkisë Divjakë dhe deputetët që përfaqësojnë zonën të dalin në shesh dhe të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve.

Marshimi vijon çdo mbrëmje

Pas tubimit, qytetarët vijojnë marshimin në rrugët e qytetit, një ritual që përsëritet çdo natë prej 23 ditësh.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet e pandryshuar: Bashkia Divjakë të mos shkrihet me Lushnjën, por të ruajë statusin e saj si bashki më vete.

Qëndrestarët deklarojnë se do ta vijojnë protestën deri në marrjen e një përgjigjeje nga qeveria për të ardhmen administrative të Divjakës.