AKTUALITET, 22 August 2026, 17:19

Plagoset efektivi i FA gjatë luftës me zjarret në Mirditë, dërgohet në Tiranë për trajtim mjekësor

Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në territorin e Mirditës. Sipas të dhënave paraprake, incidenti ka ndodhur teksa po furnizohej me ujë një automjet zjarrfikës i angazhuar në operacion.

Gjatë procesit, ka plasur një tub me diametër 120 milimetra, i pajisur me kokë metalike. Presioni ka shkëputur pjesën metalike, e cila ka goditur efektivin duke i shkaktuar dëmtime. I plagosuri është identifikuar si 28-vjeçari Andrea Kaçi. Ai është marrë menjëherë në kujdes dhe është transportuar në Spitalin e Traumës për trajtim të specializuar.

Sipas informacionit më të fundit, Kaçi aktualisht po trajtohet në Spitalin e Traumës, ku po ndiqet nga mjeku neurokirurg dhe është jashtë rrezikut për jetën. Efektivi vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e tij raportohet e stabilizuar. Incidenti ndodhi gjatë operacioneve intensive të Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera për përballimin e situatës së zjarreve në Mirditë.