BOTA, 12 August 2026, 20:29

Takimi në Turqi me Mahmoud Abbas/ Erdogan akuzon Izraelin: Po përpiqet të fshijë Palestinën nga agjenda ndërkombëtare

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar qeverinë izraelite se po përpiqet ta largojë çështjen palestineze nga vëmendja e ndërkombëtare, duke shfrytëzuar konfliktet dhe kaosin në rajon. Deklarata u bë gjatë takimit në Ankara me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Erdogan tha se Izraeli po përfiton nga paqëndrueshmëria dhe konfliktet në rajon për të dobësuar çështjen palestineze dhe për ta nxjerrë atë nga agjenda ndërkombëtare.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, presidenti turk theksoi se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Palestinën dhe se përpjekjet për ta zhdukur çështjen palestineze nga vëmendja globale nuk do të kenë sukses.

Nga ana e tij, Mahmoud Abbas deklaroi se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes përfundimit të pushtimit dhe krijimit të një shteti të pavarur palestinez, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Abbas mbështeti gjithashtu përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës dhe për të rikthyer autoritetin palestinez në Gaza. Takimi në Ankara u zhvillua më 12 gusht dhe në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në Palestinë, situata në Gaza dhe çështjet rajonale.

Takimi mes dy liderëve vjen në një kohë kur përpjekjet diplomatike për të stabilizuar situatën në Gaza dhe për të avancuar drejt një zgjidhjeje politike mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Erdogan ka përsëritur mbështetjen e Ankarasë për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, ndërsa ka bërë thirrje edhe për rindërtimin e Gazës.