BOTA, 12 August 2026, 14:59

5 vende të BE-së propozojnë Ugandën për emigrantët

5 vende të BE-së propozojnë Ugandën për emigrantët

Një plan i 5 shteteve europiane për krijimin e qendrës së parë të grumbullimit të të emigrantëve të jashtëligjshëm që nuk përfitojnë nga e drejta e azilit në vendet e Bashkimit Europian ka hyrë në një fazë vendimtare të bisedimeve.

Shtypi grek shkruan se Gjermania, Austria, Holanda, Danimarka dhe Greqia janë në një mendje që kjo qendër të ngrihet në Ugandë.

Parashikohet ngritja e një strukture pilot deri në vitin 2027, e cila do të presë nga 5,000 deri në 10,000 persona, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar përfundimisht.

Nga aty emigrantët do të riatdhesohen në vendet e origjinës.

Uganda u përzgjodh pas gatishmërisë për bashkëpunim në këmbim të mbështetjes financiare, si dhe përvojës në menaxhimin e kampeve të tranzitit.

Me këto kampe synohet të dekurajohen dyndjet e emigrantëve ilegalë, të cilëve u bëhet e qartë se nuk i pret gjë tjetër veçse dërgimi në një vend afrikan, kontinent nga ku ka origjinën një pjesë e mirë e të ardhurve të viteve të fundit.

Detajet teknike dhe hapat e mëtejshëm të këtij plani pritet të përmbyllen më 4 shtator gjatë mbledhjes së pesë ministrave të linjës në Kopenhagen.