BOTA, 11 August 2026, 22:12

Izrael-Liban/ Bisedimet në Romë pa marrëveshje, SHBA konfirmon raundin e ri në shtator

Një raund i ri bisedimesh mes Izraelit dhe Libanit pritet të zhvillohet në fillim të shtatorit në Romë, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të vijojnë rolin e ndërmjetësit mes dy vendeve.

Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili në një deklaratë konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin bisedimet në rolin e ndërmjetësit.

Ky lajm vjen pas përfundimit të raundit të shtatë të negociatave në kryeqytetin italian, i cili u zhvillua për tre ditë dhe përfundoi më 6 gusht pa një përparim të rëndësishëm.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, pala libaneze nuk arriti të sigurojë dy objektivat kryesore të saj: një armëpushim të qëndrueshëm në jug të Libanit dhe përparim konkret në tërheqjen e trupave izraelite nga territoret libaneze që ato vazhdojnë të kontrollojnë. Ndërkohë, Izraeli e ka vendosur në qendër të negociatave çarmatimin e Hezbollahut dhe mekanizmat për monitorimin e zbatimit të këtij procesi.

Bisedimet zhvillohen në kuadër të marrëveshjes së arritur më 26 qershor me ndërmjetësimin e SHBA-së, e cila parashikon një proces gradual për tërheqjen e forcave izraelite nga pjesë të jugut të Libanit dhe marrjen e kontrollit të këtyre zonave nga ushtria libaneze.

Një prej elementeve kryesore të marrëveshjes janë të ashtuquajturat “zona pilote”, ku ushtria libaneze duhet të marrë përgjegjësinë e plotë të sigurisë, ndërsa forcat izraelite të fillojnë tërheqjen. Megjithatë, palët vazhdojnë të kenë mospajtime mbi përcaktimin dhe zgjerimin e këtyre zonave.

Në raundin e fundit, Libani kërkoi që të përcaktohen zona të reja pilote për të mundësuar tërheqjen e forcave izraelite. Ndërkohë, pala izraelite ka bërë të qartë se tërheqja lidhet me çarmatimin e Hezbollahut dhe garantimin se grupi nuk do të përbëjë më kërcënim për komunitetet në veri të Izraelit.

Izraeli vazhdon të mbajë një zonë sigurie në jug të Libanit, rreth 10 kilometra brenda territorit libanez, duke argumentuar se prania ushtarake është e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve të tij nga sulmet e Hezbollahut. Një tërheqje e parë në kuadër të mekanizmit të “zonave pilote” është realizuar në korrik, por një tërheqje e plotë izraelite nga Libani ende nuk ka ndodhur.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Edhe gjatë zhvillimit të negociatave në Romë, ushtria izraelite vijoi sulmet në jug të Libanit. Më 5 gusht, një ditë para përfundimit të bisedimeve, tensionet u përshkallëzuan pasi dy ushtarë izraelitë u vranë nga një pajisje shpërthyese. Izraeli e cilësoi këtë si shkelje të armëpushimit nga Hezbollahu dhe intensifikoi sulmet.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur ndërkohë një qëndrim më optimist për vijimin e procesit. Ambasadori amerikan në Liban, Michel Issa, ka thënë se është i inkurajuar nga negociatat, por ka paralajmëruar se mbetet ende shumë punë teknike përpara se marrëveshjet të zbatohen në terren. Sipas tij, një proces i nxituar mund të rrezikojë sigurinë e civilëve.

Bisedimet mes Izraelit dhe Libanit kanë nisur nën ndërmjetësimin amerikan në prill. Raundet e mëparshme janë zhvilluar në Uashington dhe Romë, ndërsa më 2 dhe 3 qershor palët ranë dakord për zbatimin e një armëpushimi të kushtëzuar dhe krijimin e zonave pilote ku ushtria libaneze do të merrte kontrollin ekskluziv të territorit.

Hezbollahu, i cili nuk është palë e drejtpërdrejtë në negociatat mes qeverive të Izraelit dhe Libanit, ka kundërshtuar procesin e bisedimeve. Kreu i grupit, Naim Qassem, i ka kritikuar negociatat direkte me Izraelin, ndërsa ka mbështetur vendosjen e ushtrisë libaneze në jug të lumit Litani.

Një tjetër çështje e ndjeshme mbetet përcaktimi i një mekanizmi të pavarur për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes. Sipas raportimeve, gjatë takimeve në Romë është diskutuar edhe për kandidatët e mundshëm që mund të marrin këtë rol, por një palë e tretë mbikëqyrëse ende nuk është caktuar.

Palët pritet të rikthehen në tryezën e bisedimeve në shtator. Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje konkrete në raundin e fundit dhe vazhdimi i përplasjeve në terren tregojnë se rruga drejt një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një tërheqjeje të plotë izraelite mbetet e vështirë.