TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
jë sulm kibernetik ndaj Shërbimit Kombëtar të Gjakut në Francë ka ngritur alarmin për sigurinë e sistemeve që ruajnë produkte jetësore mjekësore. Hakerat kanë arritur të depërtojnë në sistemet e kontrollit dhe të rrisin temperaturat në tri dhoma frigoriferike, ku magazinohen produkte të rëndësishme të gjakut.
Shërbimi Francez i Gjakut (EFS) bëri të ditur se gjatë sulmit temperaturat dhe pragjet e shkrirjes ishin ndryshuar në “nivele shumë të larta”. Megjithatë, falë sistemeve të alarmit, teknikët arritën të ndërhynin në kohë, përpara se produktet të dëmtoheshin.
EFS është operatori publik përgjegjës për transfuzionin e gjakut në Francë. Institucioni merret me mbledhjen, testimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e produkteve si gjaku, plazma dhe trombocitet në më shumë se 1,900 spitale në të gjithë vendin. Shërbimi mbështet nevojat mjekësore të më shumë se një milion pacientëve çdo vit.
Sipas institucionit, sulmi ndodhi gjatë natës së së hënës dhe përbën një tjetër episod shqetësues në valën e sulmeve kibernetike që kanë prekur së fundmi sistemet e ftohjes në disa vende evropiane.
Sulmet përfshijnë edhe supermarketet, dëme miliona euro në ushqime
Paralelisht me sulmin ndaj sistemit të ruajtjes së produkteve të gjakut në Francë, probleme të ngjashme janë raportuar edhe në rrjetet e supermarketeve në pothuajse një duzinë vendesh evropiane.
Temperaturat në frigoriferët dhe ngrirësit e supermarketeve janë rritur deri në 50 gradë Celsius, duke shkaktuar dëme në produkte ushqimore me vlerë miliona euro.
Të martën, shitës me pakicë në Itali, Gjermani, Rumani dhe Mbretërinë e Bashkuar raportuan se ishin vënë në shënjestër të sulmeve, pasi një ditë më parë probleme me sistemet e ftohjes ishin evidentuar edhe në Belgjikë, Estoni, Irlandë, Finlandë, Luksemburg, Holandë dhe Suedi.
Përhapja e këtyre incidenteve në disa shtete evropiane ka shtuar shqetësimet për sigurinë kibernetike të sistemeve të kontrollit industrial, veçanërisht atyre që lidhen me ruajtjen e produkteve ushqimore dhe mjekësore, ku ndërprerja ose manipulimi i temperaturave mund të sjellë pasoja të rënda.