BOTA, 4 November 2026, 17:19

Itali/ Porositi 12 kg marijuanë nga Çekia, por në derë iu shfaqën efektivët e Guardia di Finanza-s! Zbulohet droga me kanabinoidë sintetikë me vlerë mbi 100 mijë euro

Itali/ Porositi 12 kg marijuanë nga Çekia, por në derë iu

Një porosi e pazakontë droge ka përfunduar në duart e autoriteteve italiane. Një burrë në zonën e Padovës priste të merrte një sasi prej 12 kilogramësh marijuanë të përzier me kanabinoidë sintetikë, me vlerë tregu mbi 100 mijë euro, por në vend të korrierit, në derën e tij u shfaqën efektivët e Guardia di Finanza-s.

Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza e Padovës, pas dyshimeve të ngritura gjatë kontrolleve në një kompani transporti dhe dërgesash. Paketa kishte mbërritur nga Republika Çeke dhe ishte sinjalizuar nga qentë antidrogë.

Pas marrjes së autorizimit nga autoritetet gjyqësore, efektivët kontrolluan dërgesën dhe zbuluan brenda saj rreth 12 kilogramë marijuanë.

Megjithatë, hetuesit vendosën të mos ndërprisnin menjëherë transportin, por të organizonin një operacion të ashtuquajtur të “dorëzimit të kontrolluar”, me qëllim identifikimin e personit që do të merrte lëndën narkotike.

Paketa vijoi rrugën deri në adresën e përcaktuar, ku u tërhoq nga një burrë që banonte në zonën e Padovës së Poshtme. Menjëherë pas marrjes së saj, efektivët ndërhynë dhe kryen kontrolle në banesën e tij.

Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan edhe 155 gramë hashash, 85 gramë të tjera marijuanë, dy peshore elektronike precize, si dhe një bllok shënimesh të shkruara me dorë, ku ishin regjistruar transaksione dhe shkëmbime parash.

Sipas hipotezës së hetuesve, materialet e gjetura mund të jenë të lidhura me aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Burri është denoncuar dhe ndodhet nën hetim, ndërsa procedimi është ende në fazën e hetimeve paraprake.

Zbulohet kanabinoidi sintetik, analizat nxjerrin në pah një tjetër element

Një nga elementet më të veçanta të operacionit u zbulua gjatë analizave laboratorike të lëndës narkotike. Kontrollet fillestare kishin treguar një përmbajtje relativisht të ulët të THC-së, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit.

Megjithatë, analizat më të thelluara të kryera nga Laboratori i Toksikologjisë Ligjore në Padova zbuluan praninë e substancës MDMB-4en-PINACA, një kanabinoid sintetik.

Sipas hetuesve, kjo substancë mund të shkaktojë efekte më të forta se kanabisi tradicional dhe dyshohet se përdorej për të ndryshuar përbërjen e produktit bimor.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar dhe për të zbardhur origjinën e lëndës narkotike.