TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se mund të mos i rikthehet sulmeve ushtarake kundër Iranit, duke shprehur besimin se një marrëveshje me Teheranin mund të arrihet për t’i dhënë fund konfliktit.
I pyetur të hënën nga gazetarët nëse po shqyrtonte mundësinë e sulmeve ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që mbahen të martën, Trump u përgjigj shkurt: “Jo”.
Deklarata e tij vjen pas javësh gjatë të cilave presidenti amerikan kishte lënë të hapur mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit pas zgjedhjeve.
Lufta me Iranin është një nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e çmimeve të benzinës, duke shtuar presionin ndaj administratës Trump për t’i dhënë fund konfliktit.
Ndërkohë, negociatorët iranianë ndodheshin të dielën në Doha, ku zhvilluan për të tretën ditë radhazi bisedime me ndërmjetësuesit e Katarit, në përpjekje për të çuar përpara një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës.
Trump deklaroi se beson që Irani dëshiron një marrëveshje dhe se një zgjidhje diplomatike është e mundur.
“Një marrëveshje e tillë mund të ndodhte”, u shpreh presidenti amerikan.
Edhe zëvendëspresidenti JD Vance foli për përparim në kontaktet me palën iraniane, duke bërë të ditur se ishin zhvilluar disa biseda pozitive.
“Shikoni, unë dhe presidenti ndihemi mjaft mirë në lidhje me perspektivat për të arritur potencialisht një zgjidhje të negociuar. Do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, tha Vance.
Trump: Nuk do ta lejojmë kurrë Iranin të ketë armë bërthamore
Pavarësisht sinjaleve për një zgjidhje diplomatike, Trump përsëriti se kërkesa kryesore e Shteteve të Bashkuara mbetet që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.
“Ne nuk do ta lejojmë kurrë Iranin të ketë një armë bërthamore dhe ata e kuptojnë këtë. Ata e kanë kuptuar këtë dhe e kanë thënë edhe kohët e fundit”, deklaroi ai.
“Nëse do ta lejonim Iranin të kishte një armë bërthamore, ky vend nuk do të funksiononte kurrë në të njëjtën mënyrë. E gjithë bota do të ishte një vend tjetër”, shtoi presidenti amerikan.
Trump këmbënguli gjithashtu se operacioni ushtarak kundër Iranit nuk mund të konsiderohet realisht një luftë, pasi, sipas tij, kohët e fundit janë zhvilluar shumë pak luftime, pas sulmeve të gjera të ndërmarra muaj më parë, gjatë të cilave u vranë disa prej udhëheqësve iranianë.
“Ne i zhdukëm udhëheqësit e tyre – udhëheqësit e nivelit të parë, udhëheqësit e nivelit të dytë, dhe ata na kanë kërkuar, ju lutemi ndaloni së bëri këtë, dhe ne do ta bëjmë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan foli për Iranin gjatë një fjalimi në Washington Reflecting Pool, i cili u cilësua si përpjekja e tij e fundit për të bindur votuesit përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për të martën.