BOTA, 4 November 2026, 17:15

E sulmuan përmes nënës së saj, por triumfoi në zgjedhje/ Amy Acton mposht kandidatin e mbështetur nga Trump, bëhet guvernatorja e parë femër në historinë e Ohajos

E sulmuan përmes nënës së saj, por triumfoi në

Demokratja Amy Acton ka arritur të mposhtë kundërshtarin e saj republikan, Vivek Ramaswamy, në zgjedhjet për guvernator të Ohajos, pavarësisht mbështetjes që ky i fundit kishte nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Me këtë fitore, Acton do të shkruajë historinë si gruaja e parë e zgjedhur në krye të shtetit të Ohajos, si dhe demokratja e parë që fiton zgjedhjet për guvernator në këtë shtet që prej vitit 2006, pra pas dy dekadash.

Ohio, i cili gjatë viteve 2000 konsiderohej një shtet i paqëndrueshëm në aspektin elektoral, ka votuar për Donald Trump në tri zgjedhjet e fundit presidenciale. Në zgjedhjet e vitit 2024, kandidati republikan arriti të fitojë në këtë shtet me një diferencë prej 11 pikësh përqindjeje ndaj kandidates demokrate Kamala Harris.

Fushata zgjedhore e këtij viti u shoqërua me përplasje të forta dhe sulme personale ndaj kandidates demokrate. Republikani Vivek Ramaswamy publikoi një video fushate ku shfaqej nëna e Acton, Donna Arthur, e cila e akuzonte të bijën se ishte “gënjeshtare”.

Acton ka deklaruar se nëna e saj, me të cilën nuk ka më marrëdhënie, kishte mbyllur sytë ndaj abuzimit seksual që ajo kishte përjetuar gjatë fëmijërisë nga njerku i saj. Ky i fundit u arrestua më vonë dhe u akuzua për përdhunimin e saj.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, kandidatja demokrate bëri të ditur se ajo dhe vëllai i saj kishin përjetuar “abuzim, uri dhe braktisje”.

Publikimi i videos së fushatës së Ramaswamy shkaktoi reagime të shumta në nivel kombëtar. Senatori republikan në largim i Ohajos, Mike DeWine, kërkoi që Ramaswamy të tërhiqej nga gara.

Në anën tjetër, presidenti Donald Trump i kërkoi republikanit të mos tërhiqej, duke deklaruar se dëshironte që “e gjithë bota të dëgjonte nënën e një kandidateje të dështuar, të pandershme dhe të paaftë”.

Trump argumentoi gjithashtu se në një fushatë zgjedhore “çdo gjë lejohet”.