AKTUALITET, 20 Nëntor 2017, 23:25

Statusi i minatorit/ Ja e vërteta e bllokimit prej disa muajsh nga qeveria e Ramës

Statusi i minatorit/ Ja e vërteta e bllokimit prej disa muajsh nga qeveria

Statusi i minatorit, një nga profesionet më të vështira, është ende në sirtarët e qeverisë. Në projektbuxhetin e vitit 2018, nuk është futur si zë ndërsa përfaqësues të qeverisë shprehen se është ende në fazën e diskutimit.

Drejtori i Minierave, në Ministrinë e Energjisë, Mehmet Hasanlami, duke folur në Top Story, pranoi që statusi i minatorit është prezantuar fillimisht nga 5 sindikata, por ai tha se problemi qëndron tek LSI, pasi po bën populizëm me këtë çështje.

Hasanlami: Dy fjalë për statusin e minatorit, e themi që do të miratohet. Miratimin po e pengon vetëm populizmi politik. Na kanë ardhur sindikatat dhe na kanë propozuar 5 drafte për statusin. Ne i kemi kërkuar që të hartojnë një draft të përbashkët. Në një moment të bukur, zoti Spahiu merr një nga këto 5 draftet, dhe bëri populizëm politik. LSI ka qënë në pushtet para 2013, dhe nuk e ka bërë këtë status. Ka patur Ministrinë e Energjisë.

Spahiu: E kupton, që statusin e aprovon Ministria e Financave, dhe jo Ministria e Energjisë.

Ndërkohë deputeti i LSI nga Dibra, Përparim Spahiu u tregua i hapur që të pranonte çdo ndryshim, çdo propozim madje çdo status të Partisë Socialisve, vetëm e vetëm të vinte për votim në kuvend. Sipas tij, statusi i minatorit nuk mund të kthehehet në çështje politike, pasi është një premtim i bërë prej 20 vitesh nga politika dhe ende nuk është bërë asgjë.

Spahiu: Në mars unë morra një draft nga 3 sindikatat. Qeverisja e majtë mund ta kishin kaluar para zgjedhjeve, nuk ndodhi. Çdo deputet ka të drejtën që të paraqesë ligjet. Ne e futëm në axhendën e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale. Nuk e kam unë problem këtë gjë, le ta kalojë PS. Këtu nuk është çështje politike.

Hasanlami: Ky projekt status i paraqitur nga Spahiu është populist.

Spahiu: Sillni ju një status, ne jemi dakord. Hajdeni në parlament dhe sillni mendimet.

Hasanlami: Nëse nuk do kishte miniera, Bulqiza nuk do kishte ekzistuar.

Spahiu: Më mirë mos të kishte ekzistuar minierat, me gjithë dramat që ka kaluar ky qytet.

/TPZ.AL/