TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nëse ndeshja e 299-të në karrierë me Juventusin i solli humbjen e finales së Superkupës së Italisë në minutën e 121- të, në “San Siro” kundër Interit, Masimiliano Alegri shpreson që sot në mbrëmje, me rastin e pankinës së 300—të me torinezët të mund të festojë, teksa përballë do të kenë Udinezen, në “Allianz Stadium”.
“E kemi lënë tashmë pas krahëve disfatën me Interin, por nesër (sot) pres të festoj unë dhe e gjithë skuadra.
Me Udinezen do të jetë një ndeshje shumë delikate dhe nuk po e them për 120 minutat e luajtura kundër Interit. Faktet thonë se friulanët vijnë prej 7 rezultatesh pozitive radhazi dhe ne sivjet kemi vuajtur më së shumti me këto skuadra që shumë prej jush i quani të vogla.
Prandaj, të gjithë nervozizmin që kemi akumuluar në ‘San Siro’ pres që ta shprehim në diçka pozitive në kampionat, pasi dua që ta mbaj mend me festë edhe pankinën time të 300-të me Juventusin”, bën hyrjen e tij trajneri Alegri.
PENGU MË I MADH – Lidhur me momentin më të bukur për të veçuar gjatë këtyre 300 takimeve, “Konti Maks” nuk ka dyshime: “Mbaj mend beteja vërtet spektakolare, si për shembull barazimi 2-2 me Bajernin në Mynih, finalja e Londrës në 2017-ën me Realin…
Gjithsesi, pengu im më i madh mbetet eliminimi në ‘Bernabeu’ me Realin në 2018-ën. Po fitonim 3-0 dhe kishim barazuar humbjen në Torino. Për pak e kishim përmbysur, por u eliminuam edhe pse nuk e meritonim. Pa dyshim është ajo sfida më emocionuese në aventurën time te Juvja”.
FORMACIONI – Për sa u përket zgjedhjeve me Udinezen, Alegri konfirmon se nuk ka ndër mend që të rrezikojë Bonuçin, por do t’i besojë sërish të rikthyerve pas skualifikimit, Kuadrado e De Ligt.
“Leon do ta aktivizoj pas pauzës, pasi është e kotë që të nxitohemi, duke qenë se De Ligt kthehet pas kartonëve, por gjithashtu edhe Kuadrado. Me Rabionë po këmbëngulet më shumë se ç’duhet? Këtë e mendoni ju. Por edhe pse vazhdoni ta kritikoni, unë ndaj Interit pashë që ai e mbyti në duel Barelën. Bëni mirë ta rishikoni edhe një herë ndeshjen.
DIBALA E MORATA – Për sa i përket çështjes së vazhdueshme që lidhet me dy sulmuesit e tij, trajneri bardhezi vazhdon me të njëjtën linjë.
“Morata do të qëndrojë me ne deri në fund të sezonit dhe ju garantoj se çështja kontraktuale nuk do të ndikojë aspak tek ai.
Fundja, në merkaton e janarit për të do të ishte e vështirë që edhe nëse shkonte diku tjetër të mos i garantonin një kontratë, deri në fund të këtij sezoni.
Prandaj, Alvaro do të vazhdojë të luftojë me ne, ashtu sikurse edhe Artur, për të cilin po përflitet shumë. Grupi është ky dhe i tillë do të mbetet deri në fund të sezonit, – vazhdon Alegri që në fund jep mendimin e tij edhe mbi zërat se Dibala nuk kërkon të rinovojë më me Juventusin.
– Për sa i përket cilësive të Paulos, ato nuk diskutohen absolutisht. Dibalën e kam rritur vetë dhe e di se çfarë mund të japë. Erdhi në Torino kur ishte ende adoleshent dhe tani është burrë.
Për kontratën e tij nuk më takon mua të flas, por për cilësitë e tij garantoj drejtuesit dhe këdo tjetër që ka dyshime”.