SPORT, 13 Janar 2022, 18:32

Pep Guardiola, “miku i paftuar” mes Haland dhe Real Madrid

Pep Guardiola, “miku i paftuar” mes Haland dhe Real Madrid

Pep Guardiola kërkon që të drejtojë një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim dhe për këtë arsye, ka udhëzuar drejtuesit e Mançester Sitit që të bëjnë çfarë është e mundur për të transferuar në Angli norvegjezin Erling Haland.

Sipas mediave spanjolle, Guardiola i ka kërkuar klubit një sforco ekonomike për të siguruar firmën e lojtarit, i cili aktualisht ndiqet nga klubet më të njohura në Europë. “AS” insiston se zgjedhja e parë e lojtarit është Real Madrid dhe ai ka instruktuar menaxherin Mino Raiola që të komunikojë me klubin madrilen pasi synon të luajë në “Santiago Bernabeu” në të ardhmen.

Por ndërhyrja e Guardiolës mund të ndryshojë skenarët. Reali ka fuqi ekonomike, por jo aq sa për të luftuar sheikët të cilët nuk kanë shqetësime financash dhe nuk kanë nevojë të lëvizin strukturat e rrogave në klub për të paguar rrogën e një lojtari si Haland. Kursimi që lind nga rrogat e Bejl, Marselo e Isko nga të cilat klubi shpëton në verë, do të shërbejnë për t’i bërë vend Mbape. Kështu që nëse Mançester Siti hyn në garë me një ofertë monstruoze, Realit do t’i duhet të bëjë një sakrificë shumë të madhe nëse synon që të krijojë dyshen e sulmit Mbape-Haland në të ardhmen.