SPORT, 16 Mars 2023, 10:26

Arsenali do të blindojë Xhakën deri në 2025-ën, Arteta: Kujdes nga Sportingu

Arsenali do të blindojë Xhakën deri në 2025-ën, Arteta:

Arsenali është gati që të aktivizojë klauzolën e rinovimit të kontratës së Granit Xhakës edhe me një tjetër sezon, duke e mbajtur mesfushorin në “Emirates” deri në vitin 2025.

30-vjeçari, i cili është në skadencë kontrate në verën e vitit 2024, është një nga lojtarët e pazëvendësueshëm në mesfushën e Mikel Artetës, ndërsa “Topçinjtë” po kërkojnë që fitojnë titullin e Premier Ligës këtë sezon.

Londinezët dëshirojnë që të transferojnë Deklan Rajsin e Uest Hemit në merkaton e verës, por ky operacion nuk do të ndikojë në planet e klubit me ish-kapitenin, i cili ka një lidhje të veçantë me trajnerin spanjoll dhe ndihet i lumtur në “Emirates” pas incidentit me tifozët në vitin 2019 që solli heqjen e shiritit të kapitenit nga Unai Emeri.

Sipas “The Sun”, Arsenali do të aktivizojë klauzolën e rinovimit të kontratës së Xhakës edhe për 12 muaj të tjerë. Klubi londinez do të kërkojë një biletë në çerekfinalet e Ligës së Europës sot, ndërsa do të presë Sportingun e Lisbonës në “Emirates” pas barazimit 2-2 që regjistroi në Lisbonë. Anglezët nuk kanë luajtur një ndeshje me eliminim direkt në Europë përpara tifozëve të tyre që prej vitit 2020.

“Shpresojmë që të krijojmë një atmosferë të bukur dhe ta shijojmë me tifozët tanë përballjen kundër një skuadre të mirë, e cila do të jetë një sfidë e vështirë”, tha trajneri Arteta në konferencën e djeshme për shtyp.