SPORT, 16 Mars 2023, 08:58

Braktisi Shqipërinë për grekët, FIFA bllokon Ndojn

Braktisi Shqipërinë për grekët, FIFA bllokon Ndojn

Andreas Ndoj nuk mund të debutojë me kombëtaren greke këtë muaj. Shqiptari me origjinë nga Shkodra u bë çështje pak kohë më parë, duke refuzuar ekipin përfaqësues shqiptar për të kaluar te fqinjët grekë, aty ku i duhet të presë ende për të luajtur, pasi nuk është grumbulluar nga trajneri Gustavo Pojet, për shkak të problemeve të dokumentacionit që FIFA ka nxjerrë për mbrojtësin, i cili luan për fanellën e Olimpiakosit, ashtu siç raporton edhe “gazeta.gr”.

ÇËSHTJA – Disa muaj më parë, pasi luajti për Shqipërinë U-21, Ndoj refuzoi që të vazhdonte të përfaqësonte ngjyrat kuqezi dhe dëshira e tij ishte që të kalonte te Greqia.

Pas këtij vendimi, lojtari nuk u komunikua më nga FSHF-ja dhe vazhdoi karrierën e tij. Por teksa pritej përfshirja në listën e kombëtares greke për ndeshjet e këtij muaji, FIFA nuk i ka dhënë dakordësinë ende për kalimin sërish te Greqia. Kjo për shkak se FIFA e lejon maksimumi dy herë ndryshimin e kombëtares, por për Andreas Ndojin kjo është hera e tretë që bën një kërkesë.

NDRYSHIMET E NGJYRAVE- Pasi u grumbullua nga ekipi U-17 i Shqipërisë, Ndoj kërkoi leje për të kaluar te Greqia U-17 dhe kjo gjë u aprovua nga FIFA, ndërkohë kërkesa e dytë ishte kalimi nga Greqia U-19 te Shqipëria U-21 gjatë vitit të kaluar, kërkesë që sërish u aprovua.

Por, me ndryshimin e mendimit për përfaqësimin e Kombëtares që Ndoj bëri pak muaj më parë, gjatë këtij viti, 20-vjeçari kërkoi sërish leje për të luajtur për Greqinë dhe kjo është kërkesa e tretë, ndërkohë që FIFA e lejon dy herë. Mirëpo, siç duket, çështja në lidhje me letrat e nevojshme që ai duhet të ketë për t’u regjistruar dhe luajtur me grekët nuk është zgjidhur.

Ende mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me mbrojtësin, por ajo që dihet e sigurt është se këtë muaj ai nuk do të zbresë në fushë me kombëtaren greke.